Trendy

Rrobaqepësi turk i shndërron perdet dhe qilimat e harruar në arka në veshje unike

Para 2 orë

Ziya Pinarbasi, një rrobaqepës 34-vjeçar që jeton në Ankara, shfaq rrobat që ai dizajon duke transformuar batanije, qilima, tapete dhe perde tradicionale të qëndisura në rrugët e kryeqytetit turk.

Ziya i cili ka punuar si rrobaqepës për 20 vjet në dyqanin e tij në një qendër biznesi në lagjen Kizilay, filloi të ushtronte profesionin e tij me një perspektivë të ndryshme rreth dy vjet më parë.

Ai publikon dizajnet e tij, të cilat i qep nga batanije, qilima, tapete dhe perde me modele tradicionale, me mijëra ndjekës në llogarinë e tij në rrjetet sociale të quajtur “Rrobaqepësi Armagan”. Me interesin e treguar për produktet e tij të ricikluara, rrobaqepësi e mban gjallë trashëgiminë kulturore dhe kontribuon në modën e qëndrueshme.

Duke folur me Anadolu, ndërsa mbante veshur rrobat e tij shumëngjyrëshe të transformuara, ai tha: “Ndryshe nga kolegët e mi të tjerë, unë kam bërë emër për veten time përmes riciklimit. Duke ripërdorur sende që ndodhen në arka në shtëpitë tona dhe që nuk mund t’i hedhim, unë i rikthej në jetë dhe krijoj dizajne origjinale”.

“Së pari, bëra një jelek nga një batanije 30-vjeçare e konsumuar. Kjo batanije ishte një copë nga fëmijëria ime, një copë me kujtime. Pasi qepa jelekun, e postova atë në mediat sociale dhe mori interes të madh. Njerëzit gjetën një copë të së kaluarës së tyre në këtë punë”, tha Ziya.

Ai përmendi gjithashtu se përdori pjesët e mbetura të batanijes, duke dizajnuar pantallona nga e njëjta pëlhurë dhe duke plotësuar pjesët që mungonin me pëlhura dhe aksesorë të ndryshëm.

Ziya deklaroi se përdor lëkurë, tekstura të ndryshme dhe motive tradicionale, duke thënë se produktet që rezultojnë kanë një karakter modern dhe nostalgjik.

– “Kam bërë këmisha nga jastëkët e vjetër të gjyshes sime”

Duke theksuar se sendet e trashëguara nga më të vjetrit zënë një vend të rëndësishëm në punën e tij, Ziya tha: “Kam bërë këmisha nga jastëkët e vjetër të gjyshes sime. Kishim qilima muri dhe kam dizajnuar pallto dhe xhaketa prej tyre. Gjithashtu kam përdorur pëlhura që nëna ime qëndisi në rininë e saj, nën dritën e një llambe me gaz, pa makinë qepëse. Këto copa nuk janë vetëm pëlhurë; ato gjithashtu mbartin punë dhe kujtime”.

Ai përmendi se ecën nëpër rrugë duke veshur modelet, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe duke marrë reagime pozitive, gjë që e inkurajon atë të prodhojë edhe më shumë.

“Këto motive janë vlerat tona kombëtare. Dua t’i mbaj gjallë jo vetëm duke i ruajtur, por duke i veshur dhe duke i shfaqur. Dua që njerëzit të mos e harrojnë të kaluarën e tyre, të dinë nga vijnë”, tha ai.

Duke theksuar se qëllimi është të përfaqësojë kulturën turke në platformat ndërkombëtare, ai shtoi: “Dua ta përdor artin tim për të promovuar vlerat, motivet, traditat dhe historinë tonë kombëtare në botë përmes sfilatave të modës, si një qytetar turk”.

Trending