Rruga “146” në Tetovë po dëmtohet në disa pika, ndërsa në vende të caktuara ka dalë në sipërfaqe edhe gypi që furnizon lagjen me ujë të pijshëm. Banorët thonë se ka ardhur momenti i fundit që komuna t’i largojë pllakat e betonit dhe ta asfaltojë rrugën.
“Ky është rrezik për të gjithë këtu. Komuna duhet të ndërmarrë diçka sa më shpejt, sepse vazhdimisht jemi në rrezik…”
“Gjendja e rrugës është shumë e keqe dhe duhet të rregullohet, sepse jemi në probleme të mëdha. Gjatë dimrit situata bëhet edhe më e rëndë, rruga rrëshqet, ndërsa në disa vende është prishur për shkak të reshjeve”, reagojnë qytetarët.
Nga Komuna e Tetovës thonë se ekipet tashmë janë në terren për të skanuar gjendjen dhe premtojnë se gjatë kësaj vere rruga do të asfaltohet.
“Ekipet sektoriale për aktivitete komunale dhe ndërmarrja ‘Ujësjellësi’ kanë dalë në terren për verifikimin e gjendjes së rrugës. Komuna tashmë ka projekt për këtë rrugë dhe pritet që i njëjti të realizohet gjatë këtij viti”, tha Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Shembja e kësaj rruge, përveçse ua pamundëson banorëve komunikimin me pjesën tjetër të qytetit, rrezikon që dhjetëra shtëpi të kësaj lagjeje të mbeten pa ujë të pijshëm, pasi pikërisht në segmentin ku po fundoset rruga kalon gypi kryesor i ujësjellësit.










