Hapja e rrugës Tetovë-Prizren si dhe thellimi i bashkëpunimit për projektet infrastrukturore ishte në fokus të mbledhjes së Këshillit Drejtues dhe Asamblesë së Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Takimi u mbajt në Tetovë.
“Në Tetovë edhe një herë grumbullohen krerët e bashkive shqiptare në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë madje, sepse pjesë e këtij unioni, janë edhe shqiptarët e Arbëreshëve të Italisë. Është me rëndësi sepse, në kuadër unionit kemi shumë projekte të përbashkëta, me çka bashkëpunimi i komunave apo mes pushtetit lokal bëhet thelbësor në drejtim të rritjes së komunikimit mes shqiptarëve në gjithë rajonin e Ballkanit, sepse kufijtë politik na ndajnë, por bashkëpunimi mes bashkive shqiptare po na bashkon”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
“Sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, do kisha dashur të realizohet, edhe pse nuk është në kuadër të bashkive shqiptare por është një projekt në bashkëpunim të dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por, po qe se realizohet, do ishte një lehtësim i madh për komunikim, integrim e bashkëpunim ekonomik, por do ndihmonte shumë në aspektin multidisiplinar, për përmirësim të mundësive të reja për integrim zhvillim e bashkëpunim”, tha Shaqir Totaj, Kryetar i komunës së Prizrenit.
Deri më tani, në kuadër të bashkëpunimit mes bashkive shqiptare në Ballkan e më gjerë, janë realizuar disa projekte të përbashkëta, si në aspektin kulturor, të turizmit, por edhe të realizimit të projekteve të përbashkëta, siç ishte “Rruga e butiqeve” në Tetovë dhe një rrugë me karakter të njëjtë në Prizren./Alsat.mk.





