“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot, kjo rrugë që njihet si “Rruga e Butiqeve”, po gëzon sot një manifestim për herë të parë në qytetin e Tetovës, Panairin e Artizanateve ku marrin pjesë të ardhur nga Kosova dhe vendi siç është qyteti i Tetovës dhe ai i Shkupit. Shpresojnë që panaire të këtilla të ketë më shpesh thonë shitësit, sepse kështu do njihemi se çka prodhojmë dhe çka i ofrojmë publikut”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi, çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humbën. Unë vij nga fshati Vicë, Malësia e Sharrit, vet i prodhojmë çiftelitë sharkitë vetë i prodhojmë”, u shpreh Naim Abdurahmani, punues çiftelish.
“Punimet janë unikate dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin gold, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punues i dimive.
Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë sikurse edhe projekti për rregullimin e rrugës së Butiqeve me kalldrëme, realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, ndërsa bashkë financohen nga fondet IPA, me qëllim të zhvillimit të turizmit në të dy qytetet por edhe kthimit të dy rrugëve në pamjen e tyre të vjetër, e që është një në Tetovë e tjetra në Prizren. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe ndërrimin e fasadave të dyqaneve të kësaj rruge.
“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saj, me kalldrëme të kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera, dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale. Kjo është vetëm faza e parë, ndërsa jemi në bisedime për të kthyer në këtë gjendje edhe disa rrugë anësore, por edhe të bëjmë projektin ideor edhe për pamjen e fasadave të lokaleve dhe objekteve që janë në këtë rrugë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Brenda ditës, kjo rrugë do të jetë pa makina dhe do të shfrytëzohet vetëm si pedonale nga banorët por edhe vizitorët për rreth.