Shtetet e Bashkuara presin që ta përmbyllin operacionin e tyre ushtarak në Iran brenda javësh. Kështu u shpreh sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio pas një takimi me ministrat e G7.
“Jemi para afatit të planifikuar, presim që ta përmbyllim, është çështje javësh, jo muajsh. Ne do ta shkatërrojmë marinën e tyre, forcën ajrore, aftësinë e tyre për të prodhuar raketa dhe dronë… dhe do t’i zvogëlojmë ndjeshëm lëshuesit e raketave. Ne mund t’i arrijmë të gjitha objektivat tona pa asnjë ushtar në terren, ky nuk do të jetë një konflikt i zgjatur”, tha Marco Rubio, sekretar.
Komentet e Rubios vijnë në kohën kur Irani paralajmëroi për sulme të reja në të gjithë Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje civilëve të shmangin zonat pranë forcave amerikane.
Ngushtica e Hormuzit përbën rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe mbyllja efektive e saj nga forcat iraniane është kthyer në çështjen qendrore të konfliktit, që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Rubio tha se Teherani mund të vendosë një sistem tarife për kalimin në këtë ngushticë, duke e quajtur këtë “të papranueshme” dhe duke theksuar se vendet evropiane dhe aziatike që përfitojnë nga tregtia përmes kësaj rruge ujore duhet të ndihmojnë për të siguruar kalimin e lirë pasi të përfundojë konflikti.
Ndërkohë, në një deklaratë, ministrat e Jashtëm të G7-ës dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimi Evropian kërkuan ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj infrastrukturës civile në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në situata të konfliktit të armatosur, si dhe për sulmet ndaj objekteve diplomatike”, njoftoi deklarata e ministrave të jashtëm të G7.
Zyrtarë të lartë iranianë kanë mohuar se Teherani është në negociata me Uashingtonin, por Irani tha se po e shqyrton një propozim amerikan me 15 pika dhe paraqiti pesë kushte, që sipas tij, duhet të plotësohen për të përfunduar konflikti. Plani amerikan, sipas raportimeve, përsërit kërkesat e Uashingtonit që Irani të çmontojë objektet e tij bërthamore, të kufizojë kapacitetet e tij raketore dhe të ndalë mbështetjen për forcat aleate në rajon./VizionPlus/










