Mediat britanike kanë pamje të rënda se si ushtarët rusë kanë vënë në zbatim brutalitetin e komandantëve të tyre. Ata kanë përdorur ekzekutimet e njërëzve të tyre, misionet e “stuhisë së mishit” dhe metodat e tmerrshme të torturës si ndëshkim për dezertimet nga vija e frontit. Duke folur në një dokumentar të BBC-së të quajtur “Vija Zero: Brenda Luftës së Rusisë”, disa ushtarë rrëfyen se si i panë shokët e tyre të vriteshin në vend për shkak se refuzuan urdhrat.
Një ish-ushtar i quajtur Dima tha se pa trupat e 20 burrave të shtrirë në një gropë pasi u ekzekutuan. Kjo njihet si “zerozim” që në zhargonin ushtarak flet për ekzekutimin e trupave të veta.
Gjatë 4 viteve të fundit, forcat e Putinit ka parë 1.25 milionë ushtarë të tyre të vrarë ose të plagosur në vijat e frontit. Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia po humbet më shumë trupa sesa mund të rekrutojë dhe se forcat e Putinit pësojnë gati 40,000 viktima çdo muaj, ndërsa rekrutojnë vetëm deri në 35,000 trupa.
Një ish-ushtar, Ilya, i cili më parë punonte si mësues për fëmijë me nevoja të veçanta, u thirr në shërbim ushtarak në maj 2024. Pas mbërritjes së tij në Ukrainë së bashku me 78 të tjerë, shumica e burrave u dërguan direkt në vijën e frontit, ndërsa ai përfundoi në një postë komande.

Gjatë kohës që kaloi atje, ai tha se pa 4 persona të ekzekutuar nga një komandant pasi u larguan nga vija e frontit. “Gjëja më e trishtueshme është se i njihja. Mbaj mend njërin prej tyre duke bërtitur “Mos qëlloni, do të bëj çdo gjë!”, por ai [komandanti] e zeroi gjithsesi.
Fati yt varej nga komandanti yt. Komandanti është në radio: “Zero këtë, zero atë” – tha ai.
Dima 34-vjeçar punonte si ndihmësmjek në një brigadë që evakuonte ushtarët e plagosur nga vija e frontit. Ai tha se pa komandantin e tij, Alexei Ksenofontov duke ekzekutuar ushtarët e tjerë ndaj e quajti atë një “kasap”.
20 burrat në gropë, Dima tha se ishin ish-të dënuar që kishin mbërritur në bazë natën e kaluar. “Njëzet djem na sollën. Ata thjesht ua morën kartat bankare dhe i vranë. Nuk është problem të vrasësh dikë. Thjesht harton një raport.”

Burrat folën në detaje rreth misioneve të “stuhisë së mishit” në të cilat burrat u detyruan të merrnin pjesë, të cilat janë…aq vdekjeprurëse sa krahasohen me misione vetëvrasëse.
Ish-ushtari Denis, 27 vjeç, tregoi: “I pashë ata [komandantët] të dërgonin valë pas vale, duke hedhur njerëz si mish mbi ukrainasit, kështu që atyre u mbaruan municionet dhe dronët dhe një valë tjetër mund të arrinte objektivin.” Ai shpjegoi se komandantët fillonin duke dërguar 3 burra dhe kur kjo nuk funksiononte, ata do të dërgonin deri në 50 vetë.
“Ne patëm 200 të vdekur në 3 ditë. Në stuhinë e parë të regjimentit tonë, ata na shkatërruan, regjimenti ynë u shkatërrua vetëm në 3 ditë.”
Burrat që refuzojnë të marrin pjesë ose që ikin përballen me tortura dhe abuzime të tmerrshme nga komandantët e tyre, të cilat më pas filmohen dhe postohen në mediat sociale. Ilya tregoi një video në Telegram të burrave të dobësuar që rrinin të përkulur në një gropë të errët, pasi ishin lënë të uritur dhe të rrahur për refuzimin e urdhrave.

Një burrë në video dëgjohet duke thënë: “Ke uri? Le t’i ushqejmë kafshët” dhe “A do një biskotë”, ndërsa një ushtar lutet dhe përgjërohet përpara se disa copa ushqimi të hidhen në gropë. Ilya tha se ai ishte torturuar personalisht, duke rrëfyer se si ishte lidhur në një pemë, urinuar mbi të dhe rrahur.
“Komandanti u tha të gjithëve: “Kemi një tualet të ri”. Unë qëndrova i lidhur për gjysmë dite,’ tha ai. Ish-ushtari tha se u përpoq t’i jepte fund jetës së tij pasi mbaroi kjo përvojë e hidhur. Denisi tha se poshtërimi dhe tortura janë bërë “normë” në Ushtrinë Ruse.

“Është e paligjshme, por askush nuk ndëshkohet për të. Përkundrazi, djemtë madje inkurajohen ta bëjnë”, tha ai. 27-vjeçari tregoi një foto të bërë pasi u keqtrajtua nga komandantët për shkak se refuzoi të kërkonte një dron të zhdukur.
Dy nga dhëmbët e tij të përparmë u thyen. “Ishte e tmerrshme, thjesht duhej të vazhdoja.” Ai fillimisht u gradua, por pasi refuzoi t’i dërgonte njerëzit e tij në “stuhitë e mishit”, u arrestua nga policia ushtarake dhe u torturua.

Dima tha se u torturua për 72 ditë me goditje elektrike, të cilat e detyruan të kryente nevojat personale. “Kam ëndrra. Shoh [një] pyll plot me kufoma, njerëz të shtypur me fytyra, gojë të bardha e të ndyra plot me gjak. Era… nuk ka erë, ka shije. Unë jam kriminel dhe askujt nuk i intereson – krimi im jam vetëm unë. Nuk dua të vras”
Këto dëshmi vijnë në një kohë kur gjithnjë e më shumë pamje shqetësuese po përhapen në internet, të cilat tregojnë eprorët rusë duke torturuar ushtarët e tyre. Në një video muajin e kaluar, një luftëtar u pa i lidhur me shirit ngjitës me kokë poshtë në një pemë në të ftohtin therës pranë vijës së frontit. Një tjetër – gjithashtu i lidhur pas një peme – u detyrua të hante borë nga oficeri i tij epror.
Burrat e frikësuar dhe të dridhur mbanin veshur vetëm të brendshme pasi u zhveshën nga uniformat e dimrit. Komandanti i tyre dëgjohet duke bërtitur: ‘[Ata] donin të largoheshin nga pozicionet e tyre, jo të ndiqnin urdhrat. Ha, o idiot i qelbur”.
Në video të tjera që kanë dalë në sipërfaqe, burrat rrihen me qyta pushkësh, u mohohet ushqimi dhe kërcënohen pafundësisht me ekzekutim. Në një rast, një dezertor detyrohet të gërmojë varrin e tij përpara se të “lirohet afati” dhe të dërgohet përsëri në vijën e luftimit në një formë mizore torture psikologjike.
Në një tjetër, një komandant njësiti qëllon mbi kokat e ushtarëve të tij për t’i dëbuar ata nga një llogore dhe për t’i përballur me zjarrin e armikut që po afrohet. Në njësitë përreth Luhanskut dhe Zaporizhzhisë, ushtarët që refuzuan të përparonin janë lidhur me zinxhirë pas shtyllave dhe radiatorë, ose hidhen në gropa të hapura në tokë dhe lihen për ditë të tëra pa ushqim në dëborë.










