Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka hedhur poshtë spekulimet se SHBA-të mund të tërhiqen nga Aleanca, duke theksuar në një intervistë për botimin e së dielës të gazetës “Die Welt” se nuk sheh një skenar të tillë, raporton DPA.
Ai vuri në dukje se mbrojtja bërthamore amerikane për Evropën nuk vihet në dyshim, duke e përshkruar ombrellën bërthamore të SHBA-ve si një garanci kyçe për sigurinë e kontinentit dhe duke shtuar se pret që kjo të mbetet e pandryshuar.
Ndërkohë, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump javët e fundit kanë nxitur shqetësime se Uashingtoni mund të largohet nga Aleanca, kujton agjencia gjermane e lajmeve. Trump më parë ka kritikuar atë që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme nga aleatët e NATO-s në kontekstin e luftës kundër Iranit.
Sidoqoftë, një tërheqje e mundshme e SHBA-ve nga NATO do të duhej të miratohej nga Senati amerikan me një shumicë prej dy të tretash, gjë që aktualisht konsiderohet si pak e besueshme.










