Trendy

Sa janë rrogat e funksionarëve në Maqedoni – nga presidenti, deputetët dhe drejtorët/TABELA

Para 15 orë

Funksionarët e lartë në Maqedoninë e Veriut nuk do të kenë rritje pagash gjatë këtij viti, si pasojë e një nisme ligjore për uljen e koeficientëve të llogaritjes që pritet të miratohet me procedurë të shpejtë në Kuvend.

Sipas ndryshimeve në gjashtë ligje që rregullojnë pagat e zyrtarëve, rreth një mijë funksionarë do të mbajnë të ardhurat aktuale, duke shmangur një rritje automatike prej mbi 200 eurosh që do të vinte si pasojë e rritjes së pagës mesatare në vend, përcjell INA.

Në majat e piramidës shtetërore, Presidentja e shtetit, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit do të vazhdojnë të arkëtojnë rreth 215,000 denarë (rreth 3,500 euro) në muaj. Një shkallë më poshtë, ministrat, Guvernatorja e Bankës Popullore, Avokati i Popullit dhe Kryetarja e Qytetit të Shkupit do të paguhen me rreth 176,000 denarë (2,860 euro). Zëvendësministrat, disa nga drejtorët, kryetarët e komunave më të vogla do të kenë paga proporcionalisht më të ulëta, ndërkohë që në sistemin gjyqësor dhe prokurori, pagat do të variojnë nga 133,000 denarë (2,160 euro) deri në mbi 160,000 denarë (2,600 euro), varësisht nga kategoria dhe përvoja.

Sektori i drejtësisë paraqet një sfidë specifike, pasi Prokurori i Shtetit dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor marrin mbi 176,000 denarë (2,860 euro), ndërsa kryetarët e këtyre këshillave paguhen mbi 190,000 denarë (3,100 euro). Ky reduktim i koeficientëve vjen pas një rritjeje të vrullshme të pagave në tre vitet e fundit, e nxitur nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese që shkriu bazën llogaritëse. Megjithatë, vetë Gjykata Kushtetuese ka hapur një procedurë për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtyre uljeve për gjyqtarët dhe prokurorët, duke u thirrur në standardet ndërkombëtare që mbrojnë pavarësinë financiare të tyre gjatë mandatit.

Trending