Lëvizja e re “Arbëria” mbart në vetvete frymën e Arbër Xhaferit, përmes të vetmëve emra që deri më tani i kanë qëndruar besnikë këtij ideali në politikë. Ata qëndruan të palëkundur ndaj vizionit të vjetër, edhe kur ish-bashkudhëtarët e tyre u shitën te BDI, duke i lënë pa udhëheqje aktivistët, të cilëve vetëm pak më parë u kishin kërkuar votën për të mundur pikërisht BDI-në.
Rikthimi i tyre në politikë, padyshim që do të shkaktonte reagime, mjafton të shohësh për cilët emra bëhet fjalë. Ish-deputetët Bekim Fazliu dhe Orhan Ibrahimi ende konsiderohen si ndër zërat më të fuqishëm që ka pasur Kuvendi. Grupi i tyre parlamentar, në përbërje me Merale Feratin dhe Gazmend Aliun që sot janë pjesë e Këshillit Qendror të “Arbërisë”, është kujtuar si ndër grupet më kompakte, ku çdo anëtar fliste me një zë të qartë në emër të kërkesave shqiptare.
Ata mund të kenë bërë një pauzë nga politika aktive, por kurrë nuk u larguan realisht prej saj.
Dhe tani, rikthimi i tyre duket se po ua prish llogaritë shumëkujt. Prandaj nisën menjëherë goditjet nën brez, analizat se kush i paguan, përse u aktivizuan, kujt krah i shërbejnë. U vunë në lëvizje portalet, analistët, miqtë…sepse “Arbëria “ duhet përbaltur që në gjenezë, pasi nuk ishte përllogaritur nga lideri suprem që tashmë është gati të ndajë mandatet e komunave me ata që i janë ulur në prehër, sikur të jenë pronë e tij .
Siç thoshte Arbër Xhaferi: Shpesh, më e besueshme se e vërteta bëhet gënjeshtra, sidomos kur ajo është paketuar bukur sipas rregullave të propagandës. E propaganda sot e di mirë se pas lëvizjes “Arbëria” qëndrojnë ata votues të zhgënjyer nga politikanët që dikur proklamonin se po ecnin në rrugën e Arbërit, por që në të vërtetë shkonin drejt Aliut. Prandaj është e zëshme, sepse ato vota duhen ruajtur me çdo kusht. Harrojnë se vota është e vetmja armë e fuqishme e popullit, që nuk ia fal askujt, aq më tepër jo atyre që e tradhëtuan votën e tij.
Ideali i Arbërit ende jeton, edhe pse është abuzuar shumë me të. Në politikë, më e rëndësishmja është aftësia për të zgjedhur prioritetet. Dhe për “Arbërinë” , për themeluesit e saj, prioriteti kryesor vazhdon të jenë SHQIPTARËT.





