Trendy

Sadiku alarmon: Uji në Llojan dhe Vaksincë me arsen pesë herë mbi normat e lejuara, fëmijët po helmohen çdo ditë!

Para 6 muaj

Kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, në një konferencë për shtyp ngriti sot një alarm serioz për gjendjen e ujit të pijshëm në fshatrat Llojan dhe Vaksincë.

Sipas Sadikut, pas ankesave të vazhdueshme të banorëve dhe prindërve, janë marrë mostra të ujit në shkollën fillore ndërmjet dy fshatrave dhe në një pus në Llojan, të cilat më pas janë dorëzuar për analizë në Institutin e Shëndetit Publik. Rezultatet treguan një nivel alarmant të arsenit: 47.73 µg/L, që është gati pesë herë më i lartë se standardi i lejuar ndërkombëtar prej 10 µg/L.

“Ky ujë është toksik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Ekspozimi afatgjatë ndaj arsenit shkakton kancer, sëmundje të zemrës, diabet, çrregullime neurologjike dhe vonesa në zhvillimin e fëmijëve”, theksoi Sadiku.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kryetarin aktual të Komunës së Likovës, Erkan Arifin, për papërgjegjësi dhe mosveprim, pavarësisht se banorët kanë ngritur alarmin prej kohësh. “Si mund të flini i qetë, ndërsa fëmijët e Llojanit dhe Vaksincës po helmohen çdo ditë? A do të pranonit që fëmijët tuaj ta pijnë këtë ujë?”, pyeti Sadiku.

Kandidati i VLEN premtoi se me marrjen e mandatit do të ndërmarrë masa urgjente: Pastrimin e tokës nga arseni, sigurimin e ujit të pijshëm sipas standardeve ndërkombëtare, kontroll të rregullt laboratorik nga institucionet kompetente.

“Zgjedhjet në Likovë nuk janë më vetëm politike. Ato janë çështje jete a vdekje. Banorët e Llojanit dhe Vaksincës meritojnë ujë të pastër, jo helmim të përditshëm”, përfundoi Sadiku.

Trending