Trendy

‘Safe City’ regjistron 19.066 shkelje gjatë shkurtit – Tetova me 370 shkelje

Para 3 orë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se gjatë muajit shkurt, sistemi “Qytet i Sigurt” ka regjistruar gjithsej 19.066 shkelje të rregullave të komunikacionit në territorin e qyteteve dhe përgjatë korridoreve kryesore ku janë të vendosura kamerat, përcjell tetova1

Nga numri i përgjithshëm i shkeljeve, pjesa më e madhe i takon tejkalimit të shpejtësisë – 18.172 raste, ndërsa kalimi në semafor me dritë të kuqe është evidentuar te 220 drejtues mjetesh. Po ashtu, 674 shkelje janë regjistruar për drejtim automjeti me leje qarkullimi të skaduar.

MPB thekson se gjatë shkurtit janë shqiptuar gjithsej 653 masa ndalimi për drejtim mjeti, prej të cilave 220 ndaj shoferëve që kanë kaluar në të kuqe dhe 433 ndaj atyre që kanë tejkaluar kufizimin e shpejtësisë.

Analiza javore tregon se numri më i madh i shkeljeve është regjistruar në periudhën nga 2 deri më 8 shkurt – 4.991, ndërsa numri më i ulët nga 9 deri më 15 shkurt – 4.490. Numri më i lartë ditor i shkeljeve është shënuar më 28 shkurt, ndërsa më i ulëti më 11 shkurt, me 377 shkelje. Mesatarja ditore për muajin ka qenë 706 shkelje.

Qyteti i Shkupit kryeson me 12.073 shkelje, që përbëjnë 63,3% të numrit të përgjithshëm. Pasojnë segmentet rrugore përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10, ku janë regjistruar 5.702 shkelje, ndërsa numri më i vogël është evidentuar në zonën e SPB Tetovë – 370 dhe në lokacione të tjera – 17.

Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore, me qëllim garantimin e rrugëve më të sigurta për të gjithë./tetova1.mk

Trending