Salla te Qendra Sportive e Qytetit në Tetovë vazhdon të mos përdoret për sport, por kjo hapsirë shfrytëzohet nga biznese të ndryshme. Autoritetet komunale premtojnë restautimin e sallës, por pa afate konkrete, raporton Portalb.mk.
Salla sportive me kapacitet prej rreth pesë mijë vendesh edhe pse ofron mundësi për ndeshje të ligës së parë dhe atyre ndërkombëtare, ky objekt nuk shfrytëzohet për këtë qëllim.
I pyetur për atë se pse kjo sallë nuk po vendoset në përdorim në funksion të sportit, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se pas shumë betejave ligjore, salla i është kthyer Komunës së Tetovës.
“Është duke përgatitur projekt për rikonstruminin e sallës dhe e njëjta të jetë në shërbim të sportit dhe atë duke i plotësuar të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për destinimin që e ka. Për basket, volejboll, hendboll dhe gjithë këto sporte të cila luhen në sallë. Unë besoj se shumë shpejt përkrah stadiumit si një terren kapital për sportin tetovar edhe salla e sportit do të jetë në shërbim të sportistëve tetovarë”, tha Kasami.
Megjithatë, ai nuk dha afat konkret se kur pritet që kjo sallë të restaurohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. Ndryshe, salla e sporti te Qendra Sportive në Tetovë është ndërtuar në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar dhe që atëherë nuk është vënë në përdorim.










