Në diasporën shqiptare në Amerikë, emri i Samantha Shkreli Sarellit po ngjitet natyrshëm drejt majave të suksesit. Shqiptaro-amerikane e gjeneratës së parë dhe fituese e titullit Miss Globe USA 2025, ajo përfaqëson me dinjitet harmoninë mes hijeshisë, dijes dhe angazhimit humanitar.
Biseda jonë nisi në “Europa Paper Wings”, në Stamford, mes librave dhe atmosferës së qetë që mbledh njerëz me histori e pasione të ndryshme. Ajo erdhi me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një elegancë natyrale që të tërheq menjëherë. Brenda pak minutash ndjeje se pas sukseseve të saj qëndronte një natyrë e ndjeshme, e përkushtuar dhe e udhëhequr nga pasioni i saj i sinqertë.
Ajo ruan me krenari kulturën shqiptare të trashëguar nga familja, babai nga Ulqini dhe nëna nga Shkodra. Edukimi dhe modestia janë vlera që e kanë shoqëruar në rrugën e jetës dhe e kanë bërë të mbetet gjithnjë e lidhur me origjinën dhe komunitetin.
Një nga momentet më të paharrueshme për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar ishte çasti kur, pas shpalljes Miss Globe USA 2025, ajo këndoi në shqip këngën historike “Trim mbi trima Gjergj Kastrioti”. Miliona shikues u prekën nga ai interpretim i fuqishëm që solli kulturën shqiptare në qendër të skenës botërore.
E diplomuar për ekonomi në Trinity College në Connecticut, aktualisht ndjek studimet juridike, e udhëhequr nga dëshira për të mbrojtur njerëzit dhe të drejtat e tyre. Që më herët, si Miss Connecticut Teen USA, ajo u angazhua fuqishëm në luftën kundër trafikimit njerëzor: zhvilloi një cikël intervistash me të mbijetuara dhe ekspertë ndërkombëtarë, krijoi programe edukative për nxënësit e shkollave të mesme dhe bashkëpunoi me organizata globale si një zë i vendosur kundër këtij fenomeni.
Samantha shërben si ambasadore e Kaleido, Inc. në Mexico City, ka folur në ndërtesën Hart të Senatit Amerikan gjatë Samitit Ndërkombëtar Kundër Trafikimit, ka moderuar panele në Katedralen e Shën Patrikut në New York dhe është ftuar edhe në aktivitete zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Përveç angazhimit humanitar, ajo është nënkryetare e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Ulqinit, ku punon për fuqizimin e grave dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.
Megjithë arritjet e shumta, ajo mbetet e thjeshtë, e qetë dhe shumë e afërt me komunitetin. Flet më shumë për projektet që dëshiron të ndërtojë sesa për të kaluarën e saj të suksesshme. Një prej mendimeve të saj e përmbledh qartë shpirtin që e udhëheq: “Nuk më frymëzon fama, por mundësia për të ndryshuar jetën e dikujt, qoftë edhe për një moment,” thotë ajo.
Sot, si Miss Globe USA 2025, Samantha nuk është vetëm një mbretëreshë bukurie. Është zë, mision dhe frymëzim: një vajzë shqiptare që i jep botës jo vetëm hijeshi, por frymëzim, forcë dhe shpresë.
(Adi Memeti
Stamford, CT, 11 dhjetor 2025)





