Trendy

Së shpejti “One Stop Shop” në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, Dauti: Hap i rëndësishëm drejt standardeve evropiane

Para 53 minuta

Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar nisjen e hapave konkretë për shtrirjen e sistemit “One Stop Shop” në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare me Republikën e Shqipërisë.
Ky vendim ka ardhur pas një takimi të rëndësishëm që Dauti ka zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Shqipërisë, z. Besmir Beja, ku në fokus ka qenë thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.

Procedura më të shpejta dhe më pak pritje në kufi
Sipas zëvendësdrejtorit Dauti, ky projekt do të ndryshojë rrënjësisht qarkullimin në pikat kufitare, duke sjellë lehtësime të mëdha si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

“Po ndërmarrim hapa konkretë për shtrirjen e këtij sistemi në të gjitha pikat kufitare, një zhvillim me rëndësi të veçantë që do të mundësojë procedura më të shpejta, ulje të kohës së pritjes, lehtësim të qarkullimit të qytetarëve si dhe rritje të efikasitetit të kontrolleve kufitare,” u shpreh Dauti.

Ai po ashtu potencoi se ky është një hap strategjik drejt modernizimit të procedurave doganore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një kufiri më efikas, më të sigurt dhe më funksional, plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Mbështetja e OSBE-së, kyçe për projektin
Takimi u organizua me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, për të cilët Dauti shprehu një mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

“Kontributi i OSBE-së në promovimin e dialogut institucional dhe zbatimin e reformave konkrete është një vlerë e shtuar për realizimin me sukses të këtij projekti. Jam i bindur se me përkushtimin e përbashkët këtë projekt do ta realizojmë me sukses,” përfundoi zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti.

Ky projekt pritet të jetë një shtysë e fortë edhe për ekonominë rajonale dhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke eliminuar barrierat burokratike në kufi.

Trending