Analisti dhe publicisti Sefer Selimi ka komentuar përplasjen e fundit mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VLEN-it, duke theksuar se ajo mund të ketë dy funksione strategjike, madje edhe të dyja njëkohësisht.
Sipas Selimit, funksioni i parë është disciplinim dhe nënshtrim përfundimtar para mbylljes së ciklit zgjedhor. Mickoski, sipas tij, synon të neutralizojë publikisht çdo potencial “kryengritje” të ardhshme nga partnerët shqiptarë në qeveri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Mesazhi, sipas Selimit, është i qartë:
“Pushtetin vendor e keni nga unë, por çmimi është heshtja e plotë përballë strategjisë sime.”
Analisti shton se Mickoski vetë ka deklaruar: “Nuk kërkoj asgjë, përveç heshtjes për ta zbatuar strategjinë dhe qëllimet.”
Funksioni i dytë, sipas Selimit, mund të jetë krijim i një konflikti të kontrolluar për konsum publik, ndërkohë që në terren vazhdon mbështetja operative për kandidatët e VLEN-it. Në këtë skenar, VLEN-i mund të deklarojë se fiton me votat e shqiptarëve, jo me VMRO-n, ndërsa në realitet prapavija logjistike dhe mobilizuese mbetet e njëjtë.
Selimi përfundon se situata mund të interpretohet si një operacion klasik i nënshtrimit final ose si një operacion më i sofistikuar, që kombinon nënshtrim të plotë në qeverisje qendrore dhe lokale me legjitimim politik të VLEN-it përballë shqiptarëve.










