Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pasi që ish-lideri i ASH-së, njëherit kandidati i opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN, për President të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka humbur zgjedhjet presidenciale, i ka kërkuar që t’i kthehet profesionit të tij si mjek, meqë këtë dëshirë e ka shprehur kaherë.
Këto komente, Sela i ka bërë në tubimin festues në Tetovë, pasi që edhe zyrtarisht kandidati i “Frontit Evropian” – pjesë e të cilit është edhe partia e Selës – Bujar Osmani, ka fituar bindshëm zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar.
“Arben Taravarit ia kemi plotësuar, me fajin tim, të gjitha dëshirat. E bëmë ministër e kryetar komune. Në çdo paraqitje thoshte se e ka shumë dëshirë që t’i kthehet profesionit. Arben ta plotësuam edhe dëshirën e fundit, ktheju profesionit”, tha Sela.
Kreu i ASH-së ka falënderuar “të gjithë këta bashkudhëtarë në atë që bashkë e ndërtuam e që është shumë kuptimplotë front për Evropë, front kundër Rusisë, front për ardhmëri, front për Ardhmëri, front për perspektivë dhe front për Maqedoni evropiane”.
“Është shumë domethënëse fitorja gjithandej në çdo vendbanim shqiptar dhe në vendbanimet ku jetojnë edhe komunitetet tjera etnike. Më lejoni ta falënderoj kandidatit tonë Bujar Osmani, për një fushatë të dinjitetshme…”, shtoi.
Në fund, Sela ka thënë “urime, suksese dhe me një verdikt akoma më të fuqishme më 8 maj për Frontit Evropian”.