Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar pas deklaratave të Izet Mexhitit, i cili tha se “aq shumë është përzier skena politike, sa që nuk dihet me kë ka komunikuar”.
Në reagimin e tij publik, Sela i është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë Mexhitit, duke theksuar se e vërteta nuk është e përzier dhe se ai nuk ka qenë në asnjë komunikim me të.
“E ngatërruar është gënjeshtra, propaganda dhe e pavërteta. E vërteta është çdoherë e pastër, e pa përzier, është vetëm një e s’mund të jetë dy e as më shumë. Dhe kjo e vërtetë tingëllon kështu Izet! Ti në komunikim me mua – JO. Unë pjesë e qeverisë – JO. Unë në krah të atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull – JO”, shkroi Sela.
Ai theksoi se matja e suksesit politik nuk bëhet me privilegje pushteti, por me kontributin për barazinë e shqiptarëve.
“Do kemi punë bashkë në parlament, me ju e me VMRO-në. Si çdoherë pushteti nga njëra anë e unë nga ana tjetër. Jo në krah, por ballë për ballë”, përfundon reagimi i Selës.





