Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka pranuar se Serbia ka bërë një gabim duke votuar pro rezolutës evropiane në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila rikonfirmon mbështetje për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial. Ai ka shprehur se vendi duhet të kishte abstenuar nga votimi.
“Mendoj se Serbia ka bërë një gabim, dhe për këtë i kërkoj falje qytetarëve. Faji është vetëm im, ndoshta jam i lodhur dhe i ngarkuar dhe nuk mund t’i bëj të gjitha,” tha Vuçiç në një intervistë.
Ai theksoi se Serbia kishte abstenuar në propozimin e rezolutës amerikane dhe kishte votuar siç duhej, duke shtuar se në të njëjtën mënyrë duhej të kishte vepruar edhe për rezolutën evropiane. “E them këtë në një kohë kur është e qartë se do të humbas favorin apo pikët politike në BE për shkak të kësaj. Mendoj se Serbia duhej të ishte përmbajtur. Nuk kam askënd tjetër për të fajësuar përveç vetes sime; nuk kam pasur kohë të merrem mjaftueshëm me këtë,” theksoi ai.
Vuçiç vlerësoi se Serbia ka qëndruar në një situatë të vështirë për tre vjet duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe se ky qëndrim “nuk do të përmbyset me një, dy, apo tre rezoluta.”
Nga ana tjetër, Moska ka pranuar shpjegimin e Beogradit për votën gabimisht në favor të rezolutës për Ukrainën në OKB, tha zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov.
Peskov po i përgjigjej pyetjeve në lidhje me kërkimin e faljes së presidentit serb Aleksandar Vuçiç për gabimin e tij.
“Ne sigurisht e kemi dëgjuar shpjegimin dhe sigurisht e kemi pranuar atë. Në fakt, gabimet teknike ndodhin. Dhe sigurisht, ne e vlerësojmë një reagim kaq të shpejtë nga kreu i shtetit”, u tha Peskov gazetarëve të martën.