Nga dëshmitar kryesor në të pandehur. Kjo është rruga e Krunosllav Fehirit, dëshmia e të cilit ishte vendimtare në gjyqin e Branimir Gllavashit në Kroaci, për krime lufte kundër civilëve serbë në vitin 1991.
Në fillim të gushtit, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktakuzë kundër Fehirit – një veprim që njohësit e këtij rasti e konsiderojnë si të pazakontë, po aq sa edhe heshtjen e zyrtarëve të Zagrebit për të.
Si i mitur, Krunosllav Fehir ishte pjesëtar i Batalionit të Osijekut të Branimirit – një formacion që ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Gllavashit, njërit prej themeluesve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe, në atë kohë, njeriut de facto më të fuqishëm në zonën e Osijekut, në Kroacinë lindore.
Gllavash u dënua me shtatë vjet burg me një vendim të shkallës së parë, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të jepet nga Gjykata e Lartë e Kroacisë.
Në mes të qershorit të këtij viti, policia serbe e arrestoi Fehirin me të hyrë në Serbi dhe që atëherë ai mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit.
Sipas avokatit të tij, Bojan Stanojlloviç, Prokuroria e akuzon Fehirin për anëtarësim në një grup që nxiste kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Bëhet fjalë për nenin 145, paragrafin 2 të Kodit Penal nga koha e RSFJ-së, i cili parashikon dënim me burg prej së paku një viti.
“Sigurisht, ai u habit kur e arrestuan, sepse nuk e kishte idenë se mund të arrestohej për këtë… sepse që nga viti 1991 e deri më sot, autoritetet në Serbi nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim, as nuk ka pasur ndonjë tregues se po ndodhte diçka”, thotë Stanojlloviç për Radion Evropa e Lirë.
Gazetari dhe shkrimtari Drago Hedl, i cili ishte i pari që shkroi për krimet e luftës për të cilat ishte përgjegjës Branimir Gllavash, thotë për REL-in se është i befasuar nga vendimi i autoriteteve gjyqësore në Serbi, për të filluar procedurat kundër njeriut që ishte më përgjegjësi për zbulimin e krimeve kundër civilëve serbë në Osijek.
“Një nga të njohurit e mi, me të cilin fola për rastin, më tha se Serbia duhet t’i japë atij njeriu një dekoratë, sepse ai ishte personi që zbuloi krime shumë të rënda lufte kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare serbe në Kroaci”, thotë Hedl.
Në vitin 1991, me këmbënguljen e të atit, 16-vjeçari Krunosllav Fehir u bë anëtar i Korpusit të Gardës Kombëtare (ZNG), i cili ishte paraardhës i Ushtrisë kroate. Formacioni i Batalionit të Osijekut të Branimirit vepronte brenda Korpusit. Ky formacion i përgjigjej drejtpërdrejt Branimir Gllavashit.
“Kroacia nuk e kishte ushtrinë e vet në ish-Jugosllavi, kështu që pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në prag të luftës në vitin 1991, u formua ZNG-ja. Ajo përbëhej nga të rinj, rekrutë që më pas morën uniforma dhe armë. Midis tyre ishte edhe Krunosllav Fehir, i cili në atë kohë ishte i mitur”, shpjegon Hedl.
Në fillim të viteve 2000, Gllavash, së bashku me një grup anëtarësh të ZNG-së, u akuzuan për krime lufte kundër civilëve serbë në vitet 1991 dhe 1992.
Aktakuza përfshinte dy raste: vrasjen e shtatë civilëve kryesisht serbë në brigjet e Dravës dhe vrasjen e Çedomir Vuçkoviçit dhe Gjorgje Petroviçit, civilë me kombësi serbe, në garazhin e Sekretariatit të Mbrojtjes, të cilin e drejtonte Gllavash.





