Ministri i Arsimit i Serbisë, Dejan Vuk Stankoviç, deklaroi se po shqyrtohet ideja për shkurtime të kohës së mësimit në 30 minuta, pasi fëmijët kanë fenomenin e vëmendjes difuze, për shkak të së cilës nuk mund të përqendrohen për 45 minuta për të ndjekur orët, përcjellë Top24
Ministri tha se koncentrimi i nxënësve gjatë orëve është një problem për të cilin flitet tash e ca kohë dhe në opinion është paraqitur propozimi për uljen e kohëzgjatjes së orëve nga 45 në 30 minuta.
“Në këtë moment po mendojmë për këtë ide, për të qenë sa më të saktë, hapur dhe sinqerisht, mendoj se ekziston një lloj arsyetimi psikologjik. Ai është se nën ndikimin e këtyre teknologjive të reja ekziston fenomeni i vëmendjes difuze. Nuk mund të fokusohesh në një temë të vetme, por kalon shumë lehtë nga një përmbajtje në tjetrën”, shpjegoi Stankoviç.
Sipas tij, kjo tek fëmijët krijon efektin që ata nuk mund të mbeten të përqendruar për 45 minuta, që është koha maksimale e përqendrimit edhe për të rriturit.
“Dëgjojmë argumente të ndryshme për dhe kundër. Pas kësaj vjen pjesa praktike, që përfshin riorganizimin institucional të orarit të mësimeve, shpërndarjen e stafit mësimor, dhe ndoshta edhe punësimin e njerëzve të rinj, pasi do të ketë më shumë orë. Ka shumë hapa të mesëm deri sa të realizohet, por në çdo rast, mund të fillojmë me një program pilot, pasi ndryshimet në arsim duhet të jenë racionale”, tha Stankoviç.
Ai shtoi se po shqyrtohet mundësia e ndalimit të pjesshëm ose të plotë të telefonave celularë në shkolla.
“Ka një anketë të kryer brenda shkollës me fëmijët, dhe rezultati është se ata nuk janë kundër ndalimit, vetëm që është çështje nëse duhet të jetë i pjesshëm. Ata duhet të lejohen të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe sigurisht me prindërit e tyre gjatë pushimeve”, tha Stankoviç, përcjellë Top24










