Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka anuluar një kontratë që i ishte dhënë kompanisë “Moderna” për zhvillimin e fazës së vonshme të vaksinës së saj kundër gripit të shpezëve për njerëz, si dhe të drejtën për t’i blerë vaksinat, njoftoi të mërkurën vetë kompania.
Në janar, kompanisë “Moderna” i ishin ndarë 590 milionë dollarë nga administrata e ish-presidentit Joe Biden për ta avancuar zhvillimin e vaksinës së saj kundër gripit të shpezëve dhe për ta mbështetur zgjerimin e studimeve klinike për deri në pesë nënlloje shtesë të gripit pandemik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kjo shumë erdhi pas 176 milionë dollarëve të tjerë të ndarë nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) vitin e kaluar për ta përfunduar zhvillimin dhe testimin e fazës së vonshme të një vaksine para-pandemike me bazë në mRNA kundër gripit të shpezëve H5N1.
Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i tha agjencisë “Reuters” më herët këtë vit se ishte duke i rishikuar marrëveshjet e bëra nga administrata e Bidenit për prodhimin e vaksinës.
“Anulimi nënkupton që qeveria po e hedh poshtë atë që do të mund të ishte njëri nga mjetet më efikase dhe më të shpejta për të luftuar një përhapje të gripit të shpezëve” – tha Amesh Adalja nga Qendra “John Hopkins” për Siguri Shëndetësore, duke shtuar se kjo është qasje e kundërt në krahasim me atë që Trumpi e kishte marrë ndaj partneritetit “Operation Ëarp Speed” për ta luftuar koronavirusin.
Një zëdhënës i HHS-së tha se pas një rishikimi të brendshëm të plotë, agjencia kishte përcaktuar se projekti nuk i plotësonte standardet shkencore ose pritet e sigurisë që kërkohen për investim të vazhdueshëm federal.
Nga gripi i shpezëve janë prekur 70 njerëz, shumica punëtorë fermash, gjatë viti të kaluar, përderisa virusi u përhap në mënyrë agresive në mesin e gjedheve dhe shpezëve.
Sekretari i Shëndetësisë i ShBA-së, Robert F. Kennedy Jr., e ka vënë në pikëpyetje përdorimin e vaksinave./Nacionale










