Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës raketore iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur municione të specializuara për depërtimin e objekteve të fortifikuara.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Komanda Qendrore amerikane bëri të ditur se operacioni përfshiu përdorimin me sukses të bombave të tipit “bunker-buster”, të projektuara për të goditur objektiva të mbrojtura thellë nën tokë, përgjatë vijës bregdetare iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane, kapacitetet raketore të vendosura në këto zona përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për lundrimin ndërkombëtar në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë zonë ka reflektuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.
Municionet e përdorura në këtë operacion, të njohura për aftësinë e tyre depërtuese, janë të ndërtuara me material të fortifikuar çeliku dhe shpërthejnë vetëm pasi arrijnë thellësi të konsiderueshme në objektiv. Kostoja e tyre vlerësohet në qindra mijëra dollarë për njësi dhe konsiderohen më pak të fuqishme krahasuar me bombat më të rënda të përdorura nga SHBA në operacionet e mëparshme kundër objekteve nëntokësore në Iran.









