Trendy

SHBA i bën presion Zelenskyt për paqen, plani amerikan përfshin lënie tokash dhe reduktim armësh

Para 3 javë

SHBA-të i kanë sinjalizuar Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, e cila propozon që Kievi të heqë dorë nga territori dhe disa armë, thanë të mërkurën dy persona të njohur me çështjen.

Burimet, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimet përfshinin, ndër të tjera, uljen e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës.

Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters lidhur me çështjen.

Washingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore, thanë burimet.

Administrata e Shtëpisë së Bardhë po përgatitet ndërkaq të zbulojë, brenda pak ditësh, një plan sekret paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë – një dokument i hartuar nga ekipi i Presidentit Donald Trump në negociata të drejtpërdrejta me Moskën, pa praninë e Kievit apo vendeve evropiane në tryezë.

Sipas burimeve të POLITICO, plani është zhvilluar në mënyrë të izoluar dhe synon t’i paraqitet Ukrainës si një fakt i kryer, duke i lënë Presidentit Volodymyr Zelensky shumë pak hapësirë manovrimi nën presionin e rrethanave.

Zyrtarë të lartë amerikanë janë të bindur se Kievi “nuk do të ketë zgjidhje tjetër” veçse ta marrë në konsideratë planin.

Qasja e administratës Trump duket se lë jashtë çdo rol vendet evropiane, pavarësisht ndikimit të konfliktit në kontinent dhe mbështetjes së vazhdueshme që BE ka ofruar për Ukrainën. Një zyrtar i lartë amerikan është shprehur prerazi: “Për Evropën? Nuk na intereson shumë”.

Zhvillimet vijnë në një moment kritik të luftës, ndërsa Ukraina përballet me sfida të rënduara në front dhe një klimë të brishtë politike në Perëndim.

Nxjerrja e një plani të tillë të negociuar pa pjesëmarrjen e Kievit pritet të shkaktojë reagime të forta diplomatike, veçanërisht nga aleatët evropianë, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë përmban konkretisht marrëveshja që Washingtoni dhe Moska kanë diskutuar në mënyrë të fshehtë.

Ky veprim sinjalizon një ndryshim të thellë në strategjinë e SHBA-ve dhe sjell pasoja të rëndësishme për arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe për ecurinë e luftës në Ukrainë.

Trending