Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka konfirmuar se është në prag të një marrëveshjeje për t’i dërguar Ukrainës ndihmë ushtarake nëpërmjet aleatëve të NATO-s, duke shmangur një furnizim të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni. Lajmi vjen në një moment tensionesh të reja me presidentin rus Vladimir Putin, pas ngecjes së negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, shkruan The Guardian.
Gjatë një interviste për NBC News, Trump njoftoi se do të ketë një zhvillim të madh në ditët në vijim:
“Mendoj se do të kem një deklaratë të rëndësishme për të bërë mbi Rusinë të hënën. Jam i zhgënjyer me Rusinë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë dy javëve të ardhshme,” u shpreh ai.
Ai shtoi se një marrëveshje tashmë është arritur me udhëheqës të NATO-s për furnizimin e Ukrainës me armë:
“Pra, ajo që po bëjmë është se armët që po dalin po shkojnë në NATO, dhe pastaj NATO do t’ia japë këto armë [Ukrainës], dhe NATO po paguan për këto armë,” deklaroi Trump.
Ky ndryshim në politikën amerikane për ndihmën ushtarake vjen pas pezullimit të përkohshëm të dërgesave të armëve nga SHBA në Ukrainë, për shkak të shqetësimeve të Pentagonit mbi rezervat në rënie të municioneve kyçe, përfshirë sistemet Patriot për mbrojtjen ajrore.
Në të njëjtën ditë kur pritet deklarata e Trump, në Kiev do të mbërrijë edhe Keith Kellogg, i dërguari i tij për Ukrainën, për një vizitë njëjavore. Vizita vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë është përpjekur të distancohet nga vendimi fillestar për bllokimin e ndihmës ushtarake, ndërsa Trump ka sinjalizuar një qasje më fleksibile përmes bashkëpunimit me NATO-n.
Zyrtarë të administratës amerikane kanë sqaruar se furnizimi përmes NATO-s është teknikisht dhe politikisht i ndryshëm nga ndihma e drejtpërdrejtë shtetërore, pasi në këtë rast vendimi për dërgimin e armëve i takon aleatëve, jo Uashingtonit. Kjo lëvizje mund të përbëjë një kthesë strategjike në qëndrimin e Trump, i cili më parë kishte refuzuar paketa të reja ndihme për Ukrainën, me qëllim shtyrjen e Kievit drejt bisedimeve për paqe.










