Memorandumi i ndërmjetësuar nga Pakistani synonte t’i hapte rrugën një marrëveshjeje më të gjerë paqeje, por paqartësitë për Ngushticën e Hormuzit, Libanin, sanksionet dhe rindërtimin e Iranit rikthyen shpejt përplasjet
Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i nënshkruar më 17 qershor, skadoi të hënën pa arritur objektivin kryesor: një marrëveshje më të gjerë që do t’i jepte fund konfliktit të nisur më 28 shkurt.
Luftimet në shkallë të gjerë janë pezulluar për momentin, por mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të pazgjidhura.
Marrëveshja me 14 pika, e arritur pas negociatave të nivelit të lartë të ndërmjetësuara nga Pakistani, parashikonte një periudhë 60-ditore negociatash. Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian angazhoheshin për ndërprerjen “e menjëhershme dhe të përhershme” të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.
SHBA premtoi t’i jepte fund bllokadës detare brenda 30 ditësh, të tërhiqte forcat nga afërsia e Iranit pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe të punonte me partnerët rajonalë për një paketë prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.
Uashingtoni u angazhua gjithashtu për heqjen e sanksioneve, lejimin e eksporteve iraniane të naftës dhe zhbllokimin e fondeve iraniane jashtë vendit.
Nga ana e tij, Irani premtoi çminimin e Ngushticës së Hormuzit, kalimin pa pagesë të anijeve tregtare për 60 ditë dhe përsëriti angazhimin se nuk do të zhvillonte armë bërthamore.
Problemi kryesor ishte formulimi i paqartë i marrëveshjes, veçanërisht për kontrollin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Irani dhe Omani paraqitën korridore të ndryshme për kalimin e anijeve. Omani, me mbështetjen amerikane, përcaktoi një rrugë pranë brigjeve të tij, ndërsa Teherani kërkonte që anijet të kalonin më afër territorit iranian.
Në fund të qershorit, disa anije që përdorën itinerarin pranë Omanit u goditën, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani u përplasën mbi çështjen se kush kishte të drejtë të autorizonte rrugët e lundrimit.
Ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Joey Hood tha se marrëveshja ishte “e destinuar të dështonte”, pasi formulimi i saj i linte Iranit hapësirë për ta interpretuar atë si njohje të sovranitetit mbi Hormuzin dhe ndikimit mbi të ardhmen e Libanit.
Një tjetër problem ishte neni që kërkonte përfundimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, “përfshirë Libanin”, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Izraelin.
Irani argumentoi se marrëveshja duhej të sillte edhe ndërprerjen e sulmeve izraelite në Liban. Izraeli e kundërshtoi këtë interpretim dhe vazhdoi operacionet e tij, ndërsa mban ende nën kontroll rreth një të pestën e territorit libanez, sipas materialit.
Paqartësi kishte edhe për paketën prej 300 miliardë dollarësh. Memorandumi nuk përcaktonte se kush do ta financonte rindërtimin e Iranit dhe as mënyrën se si do të përdoreshin fondet. Po kështu, nuk sqarohej nëse heqja e sanksioneve përfshinte vetëm masat amerikane apo edhe ato të vendosura nga Kombet e Bashkuara.
Përplasjet u rikthyen shumë shpejt.
Më 25 qershor, anija tregtare Ever Lovely, me flamur të Singaporit, u godit ndërsa lundronte pranë brigjeve të Omanit. Irani nuk mori përgjegjësinë për sulmin, por Uashingtoni fajësoi Teheranin.
Dy ditë më vonë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte goditur depo raketash dhe dronësh, si edhe sisteme radarësh përgjatë bregdetit jugor të Iranit.
Teherani e cilësoi operacionin amerikan shkelje të memorandumit dhe u kundërpërgjigj me sulme ndaj instalimeve ushtarake amerikane në rajon.
Kështu, vetëm 10 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, SHBA dhe Irani po shkëmbenin përsëri goditje.
Më 7 korrik, Trump deklaroi se marrëveshja kishte “mbaruar”, ndërsa sulmet amerikane vazhduan. Teherani më pas njoftoi se kishte pezulluar angazhimet e veta, duke argumentuar se Uashingtoni kishte shkelur i pari memorandumin.
Gjatë gushtit, Irani ka deklaruar disa herë se nuk po zhvillon bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara për shkak të shkeljeve të pretenduara të marrëveshjes.
Teherani ka vazhduar ndërkohë negociatat me Omanin për administrimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Pakistani po përpiqet të rikthejë SHBA-në dhe Iranin në bisedime të drejtpërdrejta.
Me skadimin e periudhës 60-ditore, memorandumi i 17 qershorit mbyllet pa një marrëveshje përfundimtare. Luftimet e mëdha janë ndalur për momentin, por çështjet që shkaktuan konfliktin – nga Hormuzi dhe sanksionet te programi bërthamor dhe përplasjet rajonale – mbeten të pazgjidhura. /Përshtatur nga “Al Jazeera”











