Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar humbjen e një avioni të tyre luftarak në hapësirën ajrore të Iranit, një incident i paprecedentë që rrit tensionet në rajon dhe shënon një zhvillim dramatik në konfliktin e vazhdueshëm mes dy vendeve.
Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga gazeta amerikane The New York Times, e cila citon zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes, duke theksuar se ky është episodi i parë i këtij lloji – humbja e një avioni luftarak amerikan që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt.
Konfirmimi nga Uashingtoni vjen pas raportimeve të mediave shtetërore iraniane, të cilat gjithashtu njoftuan zyrtarisht rrëzimin e avionit brenda territorit të tyre.
Avioni i rrëzuar ishte një F-15E, i cili ka një ekuipazh standard prej dy personash, jo një nga avionët luftarakë të padukshëm të dizajnit më të fundit, thanë zyrtarët amerikanë.
Aktualisht, fati i ekuipazhit mbetet i pasigurt dhe është kthyer në shqetësimin kryesor të Pentagonit. Autoritetet ushtarake amerikane po përgatiten për një operacion kompleks kërkim-shpëtimi në terren armiqësor, duke u përpjekur të lokalizojnë dhe të tërheqin të mbijetuarit para se trupat iraniane të arrijnë në vendin e rrëzimit.










