Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë detaje mbi arrestimin e mbesës së gjeneralit të ndjerë iranian Qassem Soleimani dhe vajzës së saj në Shtetet e Bashkuara, duke sqaruar arsyet që çuan në ndërhyrjen e autoriteteve.
Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj u ndaluan nga agjentët e Shërbimit për Emigracionin dhe Doganat (ICE), pasi u vendos revokimi i statusit të tyre të qëndrimit të përhershëm. Të dyja jetonin në Los Anxhelos.
Autoritetet amerikane pretendojnë se gjatë qëndrimit në SHBA, Afshar ka promovuar propagandë në mbështetje të regjimit iranian, ka shprehur publikisht mbështetje për sulme ndaj forcave dhe objekteve amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe ka mbështetur Gardën Revolucionare Islamike, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA.
Në një reagim në platformën X, Rubio konfirmoi se të dyja mbanin “green card”, të cilat tashmë janë anuluar, dhe theksoi se administrata amerikane po vepron ndaj individëve që, sipas saj, mbështesin struktura armiqësore ndaj SHBA-së.
“Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet strehë për të huaj që mbështesin regjime terroriste dhe antiamerikane”, deklaroi ai.
Rasti zhvillohet në një moment tensionesh të larta mes SHBA dhe Iranit dhe reflekton një qëndrim më të ashpër të Uashingtonit ndaj personave që konsiderohen të lidhur me strukturat politike dhe ushtarake të Teheranit.





