Administrata Trump po përgatit një mision të ri ushtarak dhe të inteligjencës në Meksikë, që synon të godasë kartelet e drogës përmes operacioneve të drejtpërdrejta në territorin meksikan, raporton transmetuesi NBC News.
Duke iu referuar dy zyrtarëve aktualë dhe dy ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, NBC shkruan se planet parashikojnë përfshirjen e trupave amerikane në terren, përfshirë pjesëtarë të Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale (JSOC), nën autoritetin e komunitetit të inteligjencës amerikane.
Në operacione pritet të marrin pjesë edhe oficerë të CIA-s, raportojnë zyrtarët.
Operacioni, nëse miratohet, do të përfaqësonte një ndryshim të madh nga politikat e mëparshme amerikane, të cilat kufizoheshin në mbështetje teknike dhe trajnime për forcat meksikane, pa ndërhyrje të drejtpërdrejta kundër karteleve.
Sipas burimeve të NBC, misioni do të përfshinte kryesisht sulme me dron kundër laboratorëve të drogës dhe drejtuesve të karteleve, ndërsa një pjesë e dronëve kërkon që operatorët të ndodhen në terren për t’u përdorur në mënyrë të sigurtë dhe efektive.
Planet janë ende në fazë diskutimi, dhe vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, thanë zyrtarët, ndërsa theksuan se një vendosje e menjëhershme e trupave nuk është e afërt.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump i tha NBC-së se “administrata është e angazhuar të përdorë një qasje gjithëpërfshirëse qeveritare për të adresuar kërcënimet që kartelet paraqesin për qytetarët amerikanë”.
Në shkurt, Departamenti i Shtetit kishte kategorizuar gjashtë kartele meksikane të drogës si organizata terroriste të huaja, duke u dhënë agjencive amerikane kompetenca të zgjeruara për operacione të fshehta dhe mbledhje informacioni.
Ndryshe nga operacionet e fshehta të autorizuara në Venezuelë, misioni i mundshëm në Meksikë nuk synon të minojë qeverinë meksikane, por vetëm të godasë rrjetet kriminale, raportoi NBC News.










