Një 75-vjeçar nga fshati Miletinë është ndaluar nga policia pasi dyshohet se ka plagosur me një send të mprehtë një 66-vjeçar nga i njëjti fshat.
Rasti ka ndodhur më 2 tetor 2026, rreth orës 10:30, në afërsi të qendrës së Miletinës. Sipas njoftimit të policisë, incidenti ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje të pazgjidhur pronësore-juridike lidhur me një rrugë.
Gjatë konfliktit, M.K. (75) dyshohet se me një send të mprehtë i ka shkaktuar lëndim T.K. (66).
I lënduari është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Tetovës në Qendrën e Urgjencës në Tetovë, ku i është ofruar ndihma mjekësore.
Policia ka kryer hetim në vendin e ngjarjes, ndërsa gjurmët e gjakut dhe sendi i mprehtë janë siguruar si prova.
M.K. është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacion policor për procedurë të mëtejshme.











