Trendy

Shifrat e urisë në Gaza: “Një në tre banorë nuk ka ngrënë për disa ditë rresht”

Para 8 muaj

Në një editorial të publikuar në Jerusalem Post në janar të vitit 2021, ish-kryeministri izraelit Benny Gantz, duke kujtuar përvojën e tij në ushtri, shkruante se “në çdo fushatë ushtarake që kam udhëhequr, nëna ime më ka thënë gjithmonë të mos harroj të siguroj ndihmë humanitare, ilaçe dhe ushqim për popullsinë civile në anën tjetër”.

Është një mësim që një tjetër ish-ushtarak, kryeministri aktual Benjamin Netanyahu, duket se e ka injoruar në luftën në Gaza.

Mjafton të mendojmë për pranverën e kaluar, kur për dy muaj e gjysmë, nga marsi deri në mes të majit, Izraeli bllokoi hyrjen e ushqimeve, barnave, karburantit dhe mallrave të tjerë të domosdoshëm në Rripin e Gazës.

Hyrjet rifilluan në fund të majit. Por me pikatore.

Kombet e Bashkuara theksojnë se për të përmbushur nevojat e popullsisë së Gazës, nga 500 deri në 600 kamionë ndihmash duhet të hyjnë çdo ditë.

Mesatarja aktuale është 69 hyrje në ditë.

Për këtë arsye, në Gaza, njerëzit vazhdojnë të vdesin nga kequshqyerja: 85 fëmijë, gjithsej 127 persona kanë ndërruar jetë nga uria.

Dhe në përpjekje për të marrë pak ushqim: rreth një mijë vetë janë vrarë pranë qendrave të shpërndarjes, nga të cilat Gaza Humanitarian Foundation ka shpërndarë 94 milionë vakte.

Duken shumë. Por do të nevojiteshin katër herë më shumë.

Dhe rreziku që situata në Gaza të rrëshqasë drejt një urie të vërtetë masive mbetet i lartë.

Të dhënat e Programit Botëror për Ushqim (WFP) flasin vetë: një e treta e banorëve të Gazës nuk ka ngrënë asgjë për disa ditë me radhë, ndërsa gjysmë milioni njerëz tashmë jetojnë në kushte të krahasueshme me ato të një urie masive.

“Uria ka arritur shifra të frikshme”, shkroi të premten agjencia në një deklaratë.

Që në maj, një raport i përgatitur nga FAO ngriti alarmin: sipas parashikimeve, pa një përmirësim të ndjeshëm të situatës, deri në shtatorin e ardhshëm, 470 mijë gazanë do të jetojnë në mënyrë të qëndrueshme në kushte që sipas kritereve të IPC – një sistem që klasifikon ashpërsinë e emergjencave të lidhura me furnizimin me ushqim – përkufizohen si niveli “5”: “Katastrofë”, domethënë uri e plotë.

Kjo do të thotë që 20 për qind e familjeve vuajnë nga mungesë ekstreme ushqimi që çon në kequshqyerje dhe vdekje, që 30 për qind e fëmijëve nën moshën 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja akute, dhe që çdo ditë nga 2 deri në 4 të rritur për çdo 10 mijë banorë vdesin nga uria ose nga shkaqe “jo traumatike”.

Një tjetër milionsh i banorëve të Gazës, brenda të njëjtës periudhë kohore, do të përfshihen në kategorinë “4”, që do të thotë “Emergjencë”.

Ekziston edhe një tjetër temë: çfarë hanë ata pak që arrijnë të marrin një nga kutitë me ndihma të shënuara me logon e GHF-së?

Më 22 korrik, vetë fondacioni publikoi fotot e përmbajtjes standarde: miell, kripë, makarona, qiqra, bizele, pastë susami, thjerrëza dhe vaj.

Më shumë se 42 mijë kalori, “të mjaftueshme për të ushqyer 5.5 persona për 3.5 ditë”, theksoi GHF.

Në realitet, shpjegon një profesor i London School of Economics për BBC-në, kjo listë “siguron një stomak të mbushur, por një dietë bosh”.

Sipas tij, ndjekja e një ushqimi të tillë për javë të tëra do të çonte në atë që ai e quan “uri e fshehur” dhe do të rriste rrezikun për sëmundje si anemia dhe skorbuti.

Në Gaza, për më tepër, janë pothuajse të pamundura dy elementë thelbësorë për të gatuar: uji dhe gazi për furnizimin e sobave.

Ky i fundit, në veçanti, nuk shpërndahet më që nga muaji maj. Mund të gjendet vetëm në tregun e zi, me çmime të rritura me 4 mijë për qind krahasuar me periudhën para luftës.

Hyrja në Rripin e Gazës e ndihmave të reja dhe më të plota është jetike edhe për një arsye tjetër: nuk ka më mënyra të tjera për banorët e Gazës për të siguruar ushqime.

Në këtë territor, pas dy vjetësh e gjysmë bombardimesh, niveli i shkatërrimit ka arritur përmasa të jashtëzakonshme.

Që në prill, FAO shkruante se 83 për qind e tokave bujqësore, 83 për qind e puseve bujqësore dhe 71 për qind e serrave ishin dëmtuar plotësisht ose pjesërisht.

Dhe 72 për qind e anijeve të peshkimit – një të dhënë kjo që daton që në dhjetor 2024 – janë jashtë përdorimit.

Ndërkohë, sulmet nuk janë ndalur kurrë, dhe mund të imagjinohet që çdo përqindje është rritur edhe më shumë që atëherë.

Kamionët, pra, janë shpresa e vetme. WFP siguron se ka 170 mijë tonë ushqim që ndodhet tashmë në rajon ose është në rrugë për atje.

Kjo sasi do të mjaftonte për të ushqyer të gjithë popullsinë e Rripit për tre muaj. Gazanët presin.

Trending