Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës për shitjen e jashtëligjshme të biletave të ndeshjes që do të zhvillohet më 7 qershor mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndërkohë dy të tjerë, një 25-vjeçar dhe një i mitur 16-vjeç do të hetohen në gjendje të lirë.
Sipas burimeve identifikimi i tyre është bërë nga rrjetet sociale pasi reklamonin shitjet e tyre nga 300 deri në 1000 euro.
“Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”, informoi sot policia.





