Trendy

Shkëndija me short të favorshëm, Sileksi ndaj Dinamo Minskut, Vardari sfidon KuPS-in

Para 3 orë

Përfaqësuesit e futbollit të Maqedonisë së Veriut kanë mësuar kundërshtarët e tyre në garat evropiane për sezonin 2026/27, pas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.

Shkëndija e Tetovës dhe Sileksi i Kratovës kanë mësuar rivalët e tyre në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Shkëndija, si skuadër bartëse në short, pati një kundërshtar më të favorshëm dhe do të përballet me Europa nga Gjibraltari. Ndeshjen e parë tetovarët do ta luajnë në transfertë, ndërsa sfidën e kthimit para publikut vendas, njofton Koha.mk.

Sileksi, në anën tjetër, nuk pati të njëjtin fat në short. Ekipi nga Kratova do të ndeshet me Dinamo Minskun nga Bjellorusia, një kundërshtar me përvojë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare. Takimin e parë Sileksi do ta zhvillojë si mysafir, ndërsa kualifikimin do të tentojë ta sigurojë në ndeshjen e kthimit në terren vendas.

Ndërkohë, kampionia e vendit, Vardari, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve do të përballet me skuadrën finlandeze KuPS. Ndeshjen e parë Vardari do ta zhvillojnë në shtëpi më 7 ose 8 korrik, ndërsa takimi i kthimit do të luhet në Finlandë më 14 ose 15 korrik.

Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të zhvillohen më 9 korrik, ndërsa sfidat e kthimit janë caktuar për më 16 korrik.

Trending