Trendy

Shkupi, Tetova e Kumanova të parët nën syrin e “Qytetit të Sigurt”!

Para 7 muaj

Në Qytetin e Shkupit, në komunat e Tetovës dhe Kumanovës, si dhe përgjatë korridoreve “8” dhe “10”, nga 1 janari 2026 do të implementohet projekti “Qytet i sigurt, shtet i sigurt”. Pritet që deri në mesin e vitit të ardhshëm të mbulohet i gjithë territori i shtetit.

Këtë sot e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në Ohër, gjatë takimit me homologun e tij slloven, Boštjan Poklukar.

Ai informoi se ndryshimet në ligjin për sigurinë në komunikacion dhe rrugë, ku janë implementuar dispozitat për “Qytet i sigurt”, dje në Kuvend kaluan në leximin e parë para komisionit amë. Toshkovski theksoi se me këtë ligj nuk synohet ndëshkimi i qytetarëve për mbushjen e buxhetit, por shpëtimi i jetëve njerëzore.

“Qëllimi i këtij sistemi nuk është që qytetarët të ndëshkohen, nuk është që të mbushet buxheti i Republikës së Maqedonisë, por që të shpëtohet të paktën një jetë njerëzore. Shifrat janë alarmante. Në vitin 2024 kemi pasur 142 viktima si pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit dhe aksidenteve rrugore. Jam i bindur se numrat do të ulen me vënien në funksion të sistemit”, tha Toshkovski.

Ministri shtoi se kontrollet do të vazhdojnë dhe se do të ashpërsohen ndëshkimet, veçanërisht në kuadër të Kodit Penal, ku përveç gjobave monetare do të shqiptohen edhe dënime me burg dhe konfiskim i përhershëm i automjeteve me të cilat kryhen veprat penale.

Trending