
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Në këtë tribunë mori pjesë edhe akademik Idriz Ajeti, i cili në paraqitjen e tij, tha se aktet më të larta juridike federative dhe republikane të shtetit, mbi të cilat mbështetën “themelet e federatës jugosllave, nuk përqendrojnë ndonjë dispozitë me të cilën të kufizohen të drejtat e kombeve e kombësive” për përdorimin e gjuhëve dhe të toponimeve në pajtim me traditën dhe me ligjet fonetike të gjuhëve të tyre, prandaj, siç vuri në dukje ai “nuk kanë kurrfarë të drejte ata që kërkojnë kufizim dhe njësim të emrave të përveçëm dhe të emërtimeve gjeografike…”.
Akademik Rexhep Qosja, u ndal në disa çështje konkrete që i përkisnin aktualitetit të shfaqjes së dukurive në këtë sferë. “Nuk është shumë e çuditshme, tha ai, se burokracia mund të merret edhe me këto punësh gjuhësore, me të cilat burokracia për sa është shënuar në historinë e gjuhësisë në botë nuk është marrë kurrë askund”, mirëpo për të e çuditshme ishte “pse përkrahje masave për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e tillë të toponimeve të Maqedonisë në gjuhën shqipe” u dhanë edhe shkrimtarë që merren me gazetari, e madje edhe anëtarë të një institucioni ashtu të lartë dituror sikundër është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë, të cilët “fare mirë e dinë se puna e drejtshkrimit dhe e drejtshqiptimit të toponimeve të planetit tonë në asnjë gjuhë të gjallë nuk mund të dekretohet duke u nisur prej veçorive drejtshkrimore dhe drejtshqiptimore të ndonjë gjuhe tjetër”. Shikimin politik të toponimeve në Maqedoni, Qosja e pa të shtrirë edhe mbi antroponimet shqipe. Si pasojë e një shikimi të tillë, ai veçoi disa emra të padëshiruar. Këta emra, tha ai “shpallen si të tillë gjoja pse janë emra që nxisin ndjenjat nacionaliste”. Duke e shpjeguar anën kuptimore të emrave, Qosja theksoi se çdo popull i qytetëruar ka antroponominë e vet karakteristike. Prandaj, siç vuri në dukje ai në vazhdim të fjalimit të tij:
“Nuk është e çuditshme, pse edhe antroponime më të spikatshme historike, me kohë, përjetohen si antroponime të zakonshme. Kështu fjala vjen, emrat historikë të popujve të ndryshëm, si Xhems, Vihel, Agron, Teutë, Stefan, Kiril, Milica etj., me kohë kanë mbetur pa domethënien historike. Ngarkesat e mundshme kuptimore sikur nuk qëndrojnë në to, por në lexuesin a dëgjuesin e tyre, që i dëgjon a i lexon me këso apo aso ngarkesa. Prandaj, nuk mund të thuhet se kur shqiptarët i pagëzojnë foshnjat Ilir, Ilirianë, Genc, Agron, Shqipe, Arben, Kastriot, Lekë, Naim, Nol, Asdren, Migjen etj., bëjnë diçka që nuk e bëjnë popujt e tjerë kur foshnjat e tyre i pagëzojnë me emrat e figurave të historisë, të kulturës, apo, madhe edhe të fesë”.

Ndërsa, Isa Bajçinca, shtroi pyetjen se “si do të mund të duronte” për shembull “natyra e shqipes ndërtimin dhe përdorimin e fjalëve që do të dilnin nga toponimet Skopje, Debar, Kiçevo, etj., kur do të duhej të ndërtoheshin fjalët derivate të tyre.”. Prandaj, këtë dhunë gjuhësore, ai e shihte si “të paqëndrueshme e të paargumentuar edhe nga aspekti i traditës së shkrimit dhe të përdorimit të tyre”.
Kundër qëndrimit të inteligjencës shqiptare të Kosovës, sidomos të akademik Rexhep Qoses, doli Sefedin Sulejmani, i cili në një shkrim të tij të botuar në gazetën “Borba”, theksoi se “format fonetike dhe grafike të toponimeve në Maqedoni, të parashikuara me kushtetutë dhe me ligj, në përgjithësi, nuk e prekin autenticitetin e gjuhës shqipe në toponime, as dhe traditën e saj”.
Ndaj një pohimi të tillë të Sefedin Sulejmanit, reagoi gazetarja e “Rilindjes”, Elvina Berani-Bajçinovci, e cila në një shkrim të saj të botuar në gazetën “Borba” të datës 11-12 prill 1987 të titulluar “Përpjekje brutale për t’i detyruar kundërshtarët që të heshtin”, ndër të tjerave shkruante: “…Kështu mund të shkruajë vetëm një njeri, i cili nuk ka ide se ç’është tradita dhe onomastika. Si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë, Sulejmani është nënshkrues i Rezolutës së gjuhës letrare shqipe në vitin 1974. Në këtë Rezolutë parashikohet zbatimi i nëntë parimeve ortografike të gjuhës shqipe…Do të dëshiroja ta pyesja këtë profesor nëse e di që se prej sa kohësh përdoren emrat e vendbanimeve Shkup, Dibër, Ohër, Manastir dhe Kërçovë në gjuhën shqipe! Të jesh profesor e për më tepër doktor shkencash, të shkruash për problemet e onomastikës shqiptare e të mos dish se çdo njeri prej emrave të lartpërmendur të vendbanimeve ka një traditë përdorimi të gjuhës shqipe prej disa shekujsh, më falni por kjo është turp. Të dish që forma fonetike të emrit të përveçëm Shkup në gjuhën shqipe ka një traditë prej 1500 vjetësh e të thuash se zëvendësimi i formës shqiptare Shkup me formën maqedonase Skopje nuk prek autenticitetin e gjuhës shqipe – ky është një turp akoma më i madh. Sefedin Sulejmani, shkruan më tej Elvina, tani është bërë kaq i pamëshirshëm dhe kaq agresiv ndaj intelektualëve të nderuar dhe të pafajshëm shqiptarë, të cilët janë konsekuentë në zbatimin e drejtshkrimit shqip në fushën e onomastikës shqiptare…”.
Ndërkohë, në intervistën dhënë gazetës sllovene “Dello”, Rexhep Qosja, Maqedoninë e quajti “vilajet të errët dhe sinonim i mungesës së lirisë për shqiptarët”. Lidhur me këtë deklaratë të Akademik Qoses, reagoi shkrimtari maqedonas, Kole Çashule, i cili në një shkrim të tij të botuar në revistën “Danas” të Zagrebit, ndër të tjerave shprehet se në qoftë se do të ishte ashtu siç pohon Rexhep Qosja, atëherë “me siguri shqiptarët nuk do të shkonin valë-valë në drejtim të Maqedonisë nga çlirimi deri më sot”. Sipas tij ishte e “mjaftueshme” të krahasoheshin regjistrimet e popullsisë të viteve “mbas çlirimit me atë viteve të fundit”, që të shihej se “kjo dyndja” kishte “arritur një shifër të lartë” dhe se “agresiviteti i atyre që “janë shpërngulur dhe ende shpërngulen” nga Kosova për në Maqedoni “në planin politik e në frymën e irredentizmit e të separatizmit brutal, nuk provon se Maqedonia është një vilajet i errët, por provon më shumë ekzistencën e një lloj agresioni jo të rastit në Maqedoni…”.
Ndërkohë revista kroate “Danas”, më 21 prill botoi shkrimin e Ante Vukoviçit, i cili botëkuptimin e Kole Çashules, e quante “jokonvencional” dhe të pashembullt për politikën jugosllave: “Kam fituar përshtypjen, shkruan Vukoviç, se shqiptarë ka së tepërmi: vijnë në Kosovë, shtypin serbët, paguajnë miliarda për pasurinë e tyre, vetëm që ta bëjnë Kosovën të pastër, pastaj bëjnë ekspansion në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Nuk e kam të qartë, prej nga vijnë këta shqiptarë?…Kur lexoj çdo gjë që shkruhet nuk e kam të qartë se a shpërngulen shqiptarët nga Kosova apo në Kosovë?… Për botën e civilizuar është e pashembullt të ndalohet përdorimi i toponimeve në gjuhën e një populli. Ndërkaq kulm të albanofobisë e konsideroj brengosjen për shkak të shpërthimit demografik të shqiptarëve…”.
Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se gjatë vitit 1987, kritikat ndaj masave antishqiptare të autoriteteve maqedonase sa vinin e shtoheshin. Në to, krahas inteligjencës shqiptare, u përfshi edhe një pjesë e udhëheqjes politike të Kosovës. Kjo u pa nga deklaratat e Azem Vllasit, Drita Dobroshit, Remzi Kolgecit, dhënë në mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ku ata në mënyrë indirekte i mbështetën qëndrimet e Rexhep Qoses, Fasli Sylës, Idriz Ajetit, Ramiz Kelmendit etj., në polemikat e tyre të zhvilluar në shtypin jugosllav.

Në fjalimin që Azem Vllasi e mbajti në takimin “Ditët e gazetarëve të Kosovës”, ndër të tjerave, kritikoi tendencat e nacionalistëve serbë dhe maqedonas, të cilët, siç u shpreh “kërkojnë që në Kosovë të aplikohet si gjuhë e vetme vetëm serbokroatishtja dhe të kufizohet gjuha shqipe në Maqedoni”. Ndërsa, anëtarja e Komitetit Qendror të LKJ-së, Drita Dobroshi, në mbledhjen e Komisionit për Marrëdhënie Ndërnacionale të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, duke folur për problemet e shqiptarëve në RS të Maqedonisë tha: “dukuritë e shprehura në Maqedoni nuk mund t’i kuptoj tjetër veç si kufizim i të drejtave kombëtare të kombësisë shqiptare, gjë që s’ka lidhje me Programin dhe me politikën e LKJ-së e për këtë LKJ-ja duhet të japi vlerësimin e vet”. Në mbledhjen e njëjtë, Muhamet Bicaj, duke e mbështetur në mënyrë indirekte deklaratën e Rexhep Qoses, për mungesën e hapjes së Fakultetit të gjuhës shqipe në Maqedoni, tha: “…Gjatë këtij viti shkollor, në Universitetin e Kosovës janë regjistruar 6.407 studentë nga mjediset jashtë Kosovës, gjysma e tyre janë shqiptarë nga Maqedonia dhe pjesërisht nga Mali i Zi dhe Serbia Jugore…”.
Reagimet e inteligjencës shqiptare të Kosovës, sikurse edhe të udhëheqjes politike të saj, nuk u morën fare në konsideratë nga ana e udhëheqjes politike maqedonase. Kështu, Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore “Prosvetno Dello”, menjëherë posa hyri në fuqi ligji për toponimet njëgjuhësore, hoqi nga përdorimi librin e gjeografisë të klasës së tetë dhe librin e historisë së klasës së shtatë në gjuhën shqipe, me motivacion se përkthimi i tyre nga maqedonishtja në shqip nga redaktori Islam Karanfili “është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore të kësaj republike” të cilat “nuk lejojnë dualizma në përkthim por një emërtim dhe shqiptim vetëm në maqedonisht”.
“Këto përkthime të termave gjeografik prej maqedonishtes në shqip” shprehet drejtori i kësaj shtëpie, Kërste Angellovski “janë gabime të rënda, mbasi nuk lejohet ndërrimi i emërtimeve të toponimeve dhe nuk lejohet që toponomia Metohia të emërtohet Dukagjin, Skopje-Shkup, Debar-Dibër, Kiçevo-Kërçovë, Bitolla-Manastir, Ohrid-Ohër, Tetovo-Tetova etj.” dhe se për këto gabime të rënda në fushën e toponomisë “redaktori Islam Karanfili pushohet nga puna si redaktor dhe u dënua duke mos u lejuar më të merret me përkthimin e teksteve shkollore nga maqedonishtja në shqip…”.
Agjencia Telegrafike Shqiptare, më 1 dhjetor 1987, duke iu referuar shtypit jugosllav, njoftonte se nga ana e Kryesisë e KK të LK të “Qendër” të Shkupit, kishte dënuar me masa ideopolitike, 17 mësues të Shkollës Fillore “Liria” të Shkupit, gjashtë prej të cilëve ishin pushuar nga puna: Adem Hyseni, Mehdi Rrahmani, Etem Gavazi, Halide Palloshi, Izet Rama dhe Jusuf Aliu për shkak se, të njëjtit kanë kërkuar që “mbishkrimi dhe vula e shkollës ‘Liria’ të jenë në të dy gjuhët shqip dhe maqedonisht dhe jo vetëm në maqedonisht”, dhe se “pjesa dërmuese e punonjësve e këtij kolektivi ishin të mendimit se duhet të vazhdojë e të ruhet tradita e dygjuhësisë në këto shenja”. Ky qëndrim i kolektivit të SHF “Liria” u kundërshtua nga organet e komunës “Qendër” me arsyetimin se “territoret e pesë komunave të qytetit të Shkupit janë njëgjuhësore”, pra, vetëm maqedonisht. Lidhur me këto masa të autoriteteve maqedononase, në njoftimin e ATSH-së, thuhej: “…Sulmi kundër gjuhës, arsimit, kulturës dhe inteligjenciës shqiptare vazhdon egër. Megjithëse Kushtetuta jugosllave dhe maqedone obligon që në organet e administratës në institucione të ndryshme arsimore, shëndetësore, juridike në shkollë e në të gjitha marrëdhnëiet zyrtare në Maqedoni, në komunat me popullsi shqiptare, Tetovë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë, në komunat e qytetit të Shkupit etj. të përdoren dy gjuhë shqip dhe maqedonisht, kohët e fundit organet shtetërore të Maqedonisë këto komuna të banuara me shqiptarë i kanë shpallur ‘rajone njëgjuhësore’ dispozitat ligjore ndalojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përdoret vetëm maqedonishtja…”.

Gjithnjë sipas ATSH-së, në gjimnazin “Goce Dellçev” të Kumanovës, autoritetet maqedonase kishin marrë masa të rrepta ideopolitike ndaj pesë profesorëve shqiptarë: Xhabir Isufi, Zekiria Dauti, Liman Avdiu, Sadulla Jakupi dhe Feta Veliu, për shkak se siç vihej në dukje: “këta profesorë duke zhvilluar mësim në klasat e përziera me mësim në gjuhën maqedonase, me nxënësit shqiptarë kanë biseduar në gjuhën shqipe, gjë që nxënësit tjerë nuk e kanë kuptuar” dhe se kjo na qenka cilësuar si “mosrespektim të marrëveshjes” së kolegjiumit të arsimtarëve dhe “veprim nga pozitat e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Po kjo agjenci, duke iu referuar gazetës së njohur sllovene “Dello”, me 1 mars 1987, njoftonte se në Maqedoni nga 600 këngë popullore shqipe që deri atëherë ishin transmetuar nga Radiotelevizioni i Shkupit dhe radiot lokale të Tetovës, Dibrës etj., 570 prej tyre ishin ndaluar, nën pretekstin se ato këngë e “nxisin nacionalizmin”, përkundër faktit se shumnica e atyre këngëve tashmë të ndaluara, ishin “këngë dasme dhe këngë dashurie, pra këngë për njerëzit që shkonin në kurbet për të nxjerrë bukën e gojës dhe që kanë lindur në shekujt e mëparshëm”.
Interes të veçantë paraqet botimi i një shkrimi të shkurtë të gazetës sarajevase “Nashi Dani”, me titull “30-nxënës emigruan”, ku veç tjerash thuhej: “Jemi të fortë, s’ka fjalë, veçanërisht kur duhet të turpërohemi para botës. Pas demonstratave në Kumanovë, ku u kërkuan paralelet e pastra etnike nëpër shkolla, prej gjithsej 130 nxënësve të shkollave të mesme të kombësisë shqiptare vetëm 34 ndjekin mësimin. Çështë edhe më keq, rreth 30 nxënës, të cilët kanë refuzuar të mësojnë në paralelet e përziera dhe të cilët kanë marrë pjesë në demonstrata para disa ditësh shkuan në Dyseldorf dhe kërkuan strehim politik në RF të Gjermanisë…Pyesim: a zhvillohet mësimi në Maqedoni, në gjuhën maqedonase apo shqipe në klasat e përziera ku shumica janë nxënës shqiptarë…Në Sarajevë, në SHF ‘Bane Shurbat’ ekzistonte një paralele e pastër etnike e shqiptarëve dhe kjo gjë nuk e pengonte askënd”.
Për sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se, rezistenca e shqiptarëve në trevat e tyre etnike në RS të Maqedonisë gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare në përgjithësi, qe përqendruar vetëm te inteligjenca e mirëfilltë shqiptare, për dallim nga Kosova, ku në një masë të konsiderueshme qenë përfshi edhe organet zyrtare. Ata pak shqiptarë që gjendeshin në organet zyrtare të Maqedonisë apo edhe të vetë Federatës, ishin thuajse plotësisht në shërbim të politikës antishqiptare të udhëheqjes së atëhershme komuniste të Maqedonisë.
(Fund)










