Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan se ai ishte përfshirë në një përleshje gjatë një dasme.
Në një intervistë për emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Kasapi i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke thënë se nuk ka pasur asnjë incident fizik, por vetëm një debat të vogël.
“U bë shumë bujë sikur është rrahur Shpati, sikur ka pasur përleshje mes dasmorëve… por në realitet nuk ka ndodhur asgjë e tillë. Unë u vonova pak për shkak të trafikut dhe dasmori më tha ‘Shpat, je vonuar, por këndo’. Unë iu përgjigja se do të këndoja më shumë për të kompensuar vonesën,” tregoi këngëtari.
Sipas tij, situata u tensionua vetëm në fund të festës, gjatë momentit të pagesës. “Në fund thanë ‘nuk ke kënduar sa duhet, nuk do të marrësh pagesë’. Unë reagova, ata gjithashtu, dhe pati një debat të shkurtër. Por askush nuk më ka prekur dhe nuk ka pasur fjalë për rrahje,” tha Kasapi.
Artisti paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që përhapën, sipas tij, lajme të pavërteta. “Shpifësin e këtij lajmi do ta gjej,” deklaroi ai.





