Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e sotëm qendrën e stërvitjes së policisë në Eastern Avenue, Los Angeles, duke lënë të paktën tre agjentë të vdekur.
Sipas burimeve të Los Angeles Times, shpërthimi ndodhi rreth orës 7:30 të mëngjesit, në momentin kur një ekip çminues po zhvendoste disa eksplozivë. Zona, e cila strehon zyrën speciale të sherifit, ekipin kundër zjarreve dhe skuadrën e çminimit, u evakuua menjëherë, ndërsa vendngjarja u izolua nga forcat e rendit.
Autoritetet kanë nisur hetimet, por shkaku i saktë i shpërthimit mbetet ende i panjohur.
“Një incident i tmerrshëm”, e ka quajtur ngjarjen sekretarja Pam Bondi, duke theksuar se agjentët federalë janë të pranishëm në vendngjarje dhe po mbledhin informacion për zbardhjen e rastit.
Los Angeles mbetet nën alarm, ndërsa publikohen pamjet e para nga vendi i shpërthimit fatal.





