Bisedimet jetike për një armëpushim të ri në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve janë duke lëkundur në fije të perit. Sipas zyrtarëve palestinezë, negociatat që po zhvillohen në Doha të Katarit janë në prag të dështimit total, ndërsa akuzat për sabotim të qëllimshëm nga Izraeli po trazojnë skenën diplomatike ndërkombëtare.
Një zyrtar i lartë palestinez tha për BBC-në se Tel Avivi ka dërguar një delegacion “të zbrazët” në Katar, pa autoritet vendimmarrës, duke e përdorur kohën si një taktikë politike gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington. “Izraeli vetëm po fiton kohë, pa qëllim të sinqertë për marrëveshje,” theksoi ai.
Megjithatë, përpara se të largohej nga SHBA të enjten, Netanyahu u përpoq të ruante optimizmin, duke deklaruar se një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve dhe një armëpushim 60-ditor mund të arrihej “brenda pak ditësh”.
Sipas versionit aktual të marrëveshjes, Hamasi do të lironte rreth gjysmën e 20 pengjeve që besohet se janë ende gjallë dhe pak më shumë se gjysmën e 30 trupave të pengjeve të vrarë, në këmbim të ndalimit të përkohshëm të luftimeve.
Nga e diela e kaluar, në Doha janë zhvilluar tetë raunde bisedimesh indirekte mes palëve, por të premten në mbrëmje zyrtarët palestinezë paralajmëruan për kolaps të menjëhershëm të negociatave, për shkak të ndasive të thella në disa çështje kyçe.
Pala palestineze po kërkon ndërhyrje më të ashpër nga Shtetet e Bashkuara, duke i bërë thirrje Uashingtonit të mos qëndrojë më në rolin e vëzhguesit pasiv, por të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë mbi Izraelin.
Nëse ndërhyrja amerikane nuk vjen, paralajmërojnë ndërmjetësuesit, “dritarja e fundit për paqen do të mbyllet” dhe negociatat në Doha do të dështojnë pa kthim.





