Urim HASIPI – KOHA
Në muajin shtator të vitit të kaluar, në Tetovë u prezantua plani i mobilitetit për zgjidhjen e kaosit në Tetovë. Ky plan kishte për qëllim që të zgjidhte kaosin në komunikacion në rrugët e Tetovës duke dhënë edhe zgjidhje konkrete. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur asgjë konkrete se cilët rrugë do t`i nënshtrohen ndryshimeve për të pasur një komunikacion normal në rrugët e Tetovës, të cilët çdo ditë janë të frekuentuara me mijëra vetura dhe krijohet kaos dhe radhë kilometrike.
Plani i mobilitetit i ishte besuar Institutit INSI nga Kosova, i cili kishte bërë edhe studime në rrugët e Tetovës dhe më pas e kishte prezantuar para opinionit në një prezantim publik. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kohë më parë është pyetur për këtë plan dhe ai tha se drafti final i planit të mobilitetit është gati dhe se do duhet të kenë edhe një takim të fundit me kompaninë që e ka përpiluar, ku më pas i njëjti do të publikohet dhe do të nisë implementimi i tij.
Sipas Kasamit, zgjidhja për kaosin në trafik në Komunën e Tetovës do të bëhet përmes këtij plani të mobiliteti.
“Është në përkthim dhe pastaj do duhet ta bëjmë edhe një takim me operatorin i njëjti nëse do të miratohet nga komuna, do të publikohet dhe do të nisë implementimi në praktikë”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në kohën kur është bërë prezantimi i këtij plani nga Instituti INSI theksuan se në Tetovë problem janë 5 rrethrrotullime të cilët aspak nuk e lehtësojnë komunikacionin, ndërsa hapja e bulevardeve, rrugëve të reja shihet si një zgjidhje për të zbutur kaosin. Krahas kësaj, sipas këtij instituti, në Tetovë ka mbingarkesë në trafik, në parkingje dhe si zgjidhje shihet rikategorizimi i rrugëve dhe bulevardeve.
Nga ana tjetër, njohës të rrethanave urbane disa herë kanë shprehur mendimet se zgjidhja më e mirë do të ishte që të ndërtoheshin edhe nënkalime me qëllim që mos krijohet kaos në pjesën qendrore ku janë të koncentruara shumë institucione dhe tërë fokusi i trafikut është në këtë pjesë.
Gjendja më e vështirë është në hyrje ose dalje të Tetovës tek rrethrrotullimi afër ish Monopolit, ku kryqëzohen dy bulevarde, bulevardi “V.S Bato” dhe pjesët tjera në dalje për në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë dhe për në Gostivar. Në këto pjesë të Tetovës pothuajse çdo ditë ka trafik të stërngarkuar dhe shkaktohen vonesa për shkak të numri të madh të automjeteve.
Problem në vete është se ky kaos është më i madh edhe gjatë kthimit të mërgimtarëve në vendlindje gjatë periudhës së verës. Atëherë situata është edhe më e rëndë dhe ka numër enorm të automjeteve në rrugët e Tetovës që shkakton kolona të gjata dhe kjo situatë përsëritet dekada me radhë. Pritshmëritë janë se plani i mobilitetit mund të zbusë këtë situatë në qytetin ku me mijëra vetura qarkullojnë në pak rrugë dhe problem i madh mbetet gjetja e vend parkimit.










