Në një aksident të rëndë trafiku në autostradën mes Ispartës dhe Antalisë në Turqi, kanë humbur jetën shtatë persona, ndërsa të paktën edhe shtatë të tjerë janë plagosur, përcjell tetova1
Ngjarja ka ndodhur pranë daljes së tunelit Kargi, ku një minibus i mbushur me punëtorë bujqësorë, që po ktheheshin nga një ditë e lodhshme pune në sera, është përplasur drejtpërdrejt me një kamion-mikser betoni që po vinte nga drejtimi i kundërt. Përplasja ka qenë fatale – në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë shoferi i minibusit, bashkëshortja e tij dhe edhe pesë gra pasagjere.
Sipas informacioneve të para, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të rrugës së rrëshqitshme dhe shpejtësisë së papërshtatshme në momentin kur mjeti po dilte nga tuneli. Minibusi po lëvizte në drejtim të Buçakut kur ndodhi përplasja me automjetin e rëndë.
Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalet më të afërta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj tragjedie./tetova1.mk










