Pavarësisht se çfarë epilogu do të ketë kjo luftë, për hir të drejtësisë vlen të ndalemi për një çast dhe të hedhim një vështrim mbi këtë popull të lashtë. Ky përshkrim është bërë nga një gazetar i al-jeziras që përpiqet ta ndaj popullin nga politika dhe nga sistemi politik që e qeveris, për të cilin mund të kemi vërejtje të ndryshme.
Së pari:
Irani nuk është ajo që paraqet media ndërkombtare. Nuk ka polici në çdo rrugë që kontrollon jetën e njerëzve. Madje më habiti përqindja e grave që nuk mbajnë hixhab sipas standardit fetar dhe numri i vogël i atyre që agjërojnë. Sipas statistikave jozyrtare të qendrës Gamaan, rreth 60% e iranianëve nuk falen dhe nuk agjërojnë.
Së dyti:
Iranianët janë shumë krenarë për historinë dhe gjuhën e tyre. Ata e shohin veten si trashëgimtarë të një prej qytetërimeve më të vjetra dhe vendin e tyre si një qendër të rëndësishme të botës. Ata krenohen me figura si Ibn Sina, Omar Khajjam dhe Hafiz dhe studiojnë shkencat në gjuhën e tyre.
Së treti:
Irani është një shoqëri poetike. Është e vështirë të bisedosh me një iranian pa dëgjuar vargje poezie. Edhe një shofer taksie mund të recitojë nga poema epike Shahnameh, që rrëfen historinë e mbretërve të Persisë para Islamit. Sipas historianit Homa Katouzian, iraniani bindet më lehtë nga një ide e shprehur në poezi sesa nga një argument i thatë logjik.
Së katërti:
Pavarësisht sanksioneve, Irani është një vend i zhvilluar. Ai prodhon mbi 90% të barnave të veta dhe është ndër 15 vendet më të mëdha prodhuese të makinave.
Gjithashtu renditet i pesti në botë për numrin e artikujve shkencorë në teknologjinë e nanoteknologjisë dhe i katërmbëdhjeti në botë për patentat, një shifër e madhe krahasuar me rajonin dhe rrethanat e tij.
Së pesti:
Identiteti iranian është një përzierje mes shiizmit dhe nacionalizmit persian. Shpesh ndjehet një tension mes trashëgimisë islame dhe asaj persiane paraislame. Prandaj një pyetje e vështirë për shumë intelektualë iranianë është: a është Irani para së gjithash mysliman apo persian?
Së gjashti:
Irani është një vend shumë i larmishëm. Edhe pse persishtja është gjuha dominuese, folësit e saj nuk e kalojnë 49% të popullsisë. Të tjerët flasin turqisht, kurdisht, arabisht, lurisht apo armenisht. Është një mozaik kulturash që bashkohet nën një shtet qendror.
Së shtati:
Iranianët konsiderohen ndër popujt më të hapur ndaj Perëndimit në rajon. Shumë statistika tregojnë se ata kanë një qëndrim relativisht pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara, edhe pse vendi i tyre është nën sanksione prej dekadash. Ndoshta kjo lidhet me kundërshtimin e brendshëm ndaj politikave të qeverisë.
Historiani Homa Katouzian vëren se iranianët shpesh janë kundërshtarë të fortë të qeverive të tyre, por jo gjithmonë kanë një alternativë të qartë. Ata ngrihen për të rrëzuar padrejtësinë, por jo domosdoshmërisht për të ndërtuar një rend më të drejtë.
Këto janë shtatë vëzhgime. Irani mbetet një vend i lashtë, i larmishëm dhe disi i ndarë mes dy trashëgimive: asaj islame dhe asaj persiane.










