Çfarë konstatuan revizorët për pasuritë e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë?
Tokë në pronësi private evidentohet si pronë shtetërore, ndërsa një pjesë e pasurive të paluajtshme regjistrohen sipas lokacioneve, pa përputhje me parcelat kadastrale. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet serioze të revizorëve në raportin përfundimtar të revizionit për funksionimin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë (SOZR).
Sipas Bilancit të Gjendjes, vlera e mjeteve të përhershme që menaxhon SOZR, në fund të vitit 2024, arrin mbi 25,3 miliardë denarë, ose rreth 412,7 milionë euro. Megjithatë, revizioni i Entit Shtetëror të Revizionit ka zbuluar mospërputhje serioze në evidencën dhe vlerësimin e këtyre pasurive.
Analiza e dokumentacionit financiar, evidencave të brendshme dhe raporteve të inventarizimit vjetor ka treguar se një pjesë e pasurive jomateriale, me vlerë 671 mijë denarë (rreth 10.900 euro), prej vitesh evidentohet pa asnjë ndryshim, që nga viti 2012. Për këto mjete, Shërbimi nuk disponon dokumentacion që të sqarojë çfarë përfaqësojnë, nëse janë funksionale, nëse përdoren apo nëse gjenerojnë të ardhura.
Probleme serioze me evidencën e tokës
Vërejtjet më të mëdha të revizorëve kanë të bëjnë me tokën, e cila në raportet financiare paraqitet me vlerë prej afërsisht 20 miliardë denarësh, ose rreth 325 milionë euro. Edhe pse për nevojat e inventarizimit janë siguruar çmime mesatare të tregut nga komisionet komunale, është konstatuar se evidenca e tokës mbahet sipas lokacioneve, pa harmonizim të sipërfaqeve me të dhënat nga fletëpronësitë dhe parcelat kadastrale.
Toka nuk evidentohet sipas kategorive dhe sipërfaqes reale, por bartet në mënyrë kumulative nga viti në vit, duke krijuar mospërputhje mes evidencës materiale dhe asaj financiare. Sipas të dhënave komunale, vlera e tokës në evidencën materiale është për rreth 130 milionë denarë më e lartë se ajo e paraqitur në raportet financiare, gjë që tregon paraqitje joreale të vlerës dhe një gjendje të pandryshuar që nga viti 2023.
Revizioni ka evidentuar edhe dallime të mëdha mes të dhënave për sipërfaqen e tokës në evidencën materiale dhe atyre në Librin Evidentues që mbahet nga Shërbimi për pasuritë e paluajtshme që përdorin organet shtetërore.
Pronë private evidentohet si shtetërore
Si veçanërisht problematike është theksuar fakti se toka në rrugën “Jordan Mijalkov”, me vlerë të vlerësuar mbi 439 milionë denarë (rreth 7,1 milionë euro), vazhdon të figurojë në evidencën e Shërbimit, ndonëse është në pronësi të subjekteve juridike private.
Për tokë në disa qytete të vendit, përfshirë Strumicën, Kërçovën, Kumanovën, Velesin, Shtipin dhe Dojranin, Shërbimi nuk ka fare informacione nëse dhe për çfarë përdoret, apo nëse ka ndryshime në pronësi, edhe pse vlera e saj e vlerësuar kalon 130 milionë denarë (rreth 2,1 milionë euro). E njëjta gjendje ishte konstatuar edhe në raportin e revizionit të vitit 2021, por rekomandimet për tejkalimin e problemeve nuk janë zbatuar.
Revizorët kanë vënë në dukje edhe raste të pazgjidhura të të drejtave të shfrytëzimit, si toka nën dhe rreth objektit të Qeverisë në Shkup, e cila, ndonëse shfrytëzimi i objektit i është transferuar Sekretariatit të Përgjithshëm, vazhdon të figurojë në evidencën e SOZR-së për shkak të mungesës së një vendimi qeveritar.
Rrezik shtesë është evidentuar edhe te kompleksi “Fshati Maqedonas”, ku ekziston tokë me sipërfaqe mbi 12 mijë metra katrorë, për të cilën nuk është vendosur evidencë materiale, edhe pse Shërbimi menaxhon objektet dhe kompleksi ndërkohë është dhënë me koncesion shumëvjeçar një subjekti privat.
Gjatë revizionit, përgjegjësit kanë dorëzuar kërkesa pranë Agjencisë së Kadastrës për përditësimin e të dhënave, por revizorët paralajmërojnë se gjendjet juridike të pazgjidhura, evidencat e pakoordinuara dhe mosndërmarrja e masave për vite me radhë krijojnë rrezik serioz për shfrytëzim joekonomik dhe menaxhim joefikas të pasurisë shtetërore. Njëkohësisht, është konstatuar se edhe një pjesë e objekteve përfaqësuese dhe rezidenciale në Shkup dhe Ohër, ndonëse janë të evidencuara, ende kanë status juridik të pazgjidhur, duke e komplikuar më tej menaxhimin e pasurive të vlefshme shtetërore./Zhurnal.mk










