Institucionet shtetërore kanë blerë vetura të reja pasagjerësh me vlerë 8.5 milionë euro, një pjesë janë blerë, ndërsa një pjesë janë marrë me qira financiare për dy vitet (2023 dhe 2024). Ndër to janë edhe 45 veturat qeveritare, secila me vlerë 50.000 euro, të marra me qira financiare për funksionarët aktualë, por edhe për ish-kryeministrat dhe presidentët, tregojnë rezultatet e hulumtimit të publikuar sot nga Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ).
Hulumtimi zbulon se vetura më e shtrenjtë e blerë është ajo e Komunës së Shuto Orizares me vlerë 55.000 euro, ndërsa Komuna e Prilepit kishte blerë një veturë me vlerë 63.000 euro, por më pas ka anuluar kontratën.
“Vlera mesatare e të gjitha veturave të blera në dy vitet e fundit është 31.760 euro. Marka më e preferuar e funksionarëve është Skoda, nga e cila është blerë çdo e treta veturë. Institucioni që ka blerë më së shumti vetura është Elektaranat e Maqedonisë së Veriut me 82 vetura. Në 70% të tenderëve për blerjen e veturave ka pasur vetëm një ofertë, ndërsa kontratat më të mëdha financiare i kanë fituar kompanitë Porsche Leasing dhe Automotive Group, secila me rreth 2.8 milionë euro për dy vite”, tregojnë rezultatet e hulumtimit.
Në raportin e QKQ-së thuhet se institucionet shtetërore në vitet 2023 dhe 2024 kanë blerë gjithsej 269 vetura të reja pasagjerësh dhe për to kanë shpenzuar 8.543.658 euro. Disa institucione i kanë blerë veturat, ndërsa të tjerat i kanë marrë me qira operacionale, që do të thotë se pas përfundimit të periudhës së qirasë ato duhet të kthehen, megjithëse për veturat paguajnë thuajse njësoj sikur t’i kishin blerë. Veturat janë blerë nga 44 institucione, ndërsa janë lidhur 72 kontrata për prokurime publike.
“Veturat më të shtrenjta, nga 55.000 euro secila, janë blerë nga Komuna e Shuto Orizares, Llotaria Shtetërore, Komuna e Manastirit dhe ndërmarrja komunale Komunalec në Kavadar. Rekordin do ta mbante Komuna e Prilepit, e cila në dhjetor 2024 nënshkroi një kontratë për marrjen me qira të një veture me vlerë 63.000 euro, por sipas komunës, kontrata u anulua në shkurt të këtij viti dhe vetura nuk u mor. Megjithatë, në Sistemin Elektronik të Prokurimeve Publike nuk është publikuar anulimi i kësaj kontrate”, thuhet në raportin e hulumtimit.
Analiza përfshin veturat e blera gjatë viteve 2023 dhe 2024 dhe i referohet vetëm veturave të pasagjerëve, por jo atyre komerciale, transportuese dhe teknike.
“Institucioni që ka blerë më shumë vetura është Elektaranat e Maqedonisë së Veriut me 82 vetura në vlerë totale prej 2.2 milionë euro. Po aq para ka shpenzuar edhe Qeveria, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, për të marrë me qira 45 vetura, secila me vlerë 50.000 euro. Ministria e Punëve të Brendshme ka blerë 28 vetura për 900.000 euro. Mbi gjysmë milioni euro për vetura të reja kanë shpenzuar edhe Agjencia për Siguri Kombëtare (23 vetura) dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit (15 vetura)”, informojnë nga QKQ.
Škoda – marka më e preferuar
Škoda është marka më e preferuar e funksionarëve, me 90 vetura të blera, ose një e treta e të gjitha veturave të blera gjatë dy viteve të fundit. Marka e dytë më e përdorur është Dacia me 78 vetura, ndërsa Peugeot renditet i treti me 45 vetura.
Në krahasim me periudhën 2013-2015, çmimi mesatar i veturave të blera ka shkuar nga 16.000 euro në rreth 32.000 euro në vitet e fundit.
Veturat qeveritare
Hulumtimi thekson edhe veturat e funksionarëve më të lartë të shtetit, të cilat blihen nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë (SOPP). Që nga viti 2012, SOPP blen këto vetura përmes qirasë operative, ku pas tre viteve ato kthehen dhe zëvendësohen me të reja.
“Blerja e fundit e tillë u realizua vitin e kaluar, ku u morën me qira 45 vetura Škoda Superb, secila me çmim 50.437 euro. Për herë të parë që nga fillimi i këtij procesi, çmimi mesatar i një veture arriti një rekord të ri. Sipas SOPP-së, këto vetura i përdorin funksionarët më të lartë aktualë dhe ish-funksionarët e shtetit”, thuhet në raport.
Sipas QKQ-së, veturat janë shpërndarë kështu:
4 vetura për ish-presidentët Branko Cërvenkovski, Gjorgje Ivanov, Vilma Trajkovska dhe Stevo Pendarovski.
3 vetura për Kuvendin e RMV-së, të cilat i përdor kryetari Afrim Gashi (një për të dhe dy për eskortën e tij).
5 vetura për Qeverinë, ku 3 janë për kryeministrin (një për të dhe dy për eskortën e tij), ndërsa dy të tjera për protokollin qeveritar.
22 vetura për zëvendëskryeministrat dhe ministrat.
1 veturë për shefin e kabinetit të kryeministrit.
1 veturë për sekretarin e përgjithshëm të qeverisë.
1 veturë për zëvendës-sekretarin e përgjithshëm të qeverisë.
1 veturë për drejtorin e SOPP-së.
3 vetura të përdorura nga SOPP për transportin e delegacioneve të huaja dhe ministrive.
Ky hulumtim është bazuar në të dhënat nga Sistemi Elektronik i Prokurimeve Publike dhe informacionet e marra nga institucionet shtetërore. Në raport janë përfshirë vetëm veturat e reja të pasagjerëve, ndërsa nuk janë përfshirë veturat e përdorura dhe ato komerciale (transportuese dhe teknike).