Jeta në Maqedoninë e Veriut po bëhet çdo muaj e më e shtrenjtë. Sipas të dhënave më të fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje me katër anëtarë ka pasur nevojë për 65.492 denarë, apo rreth 1060 euro, për të mbuluar shpenzimet minimale të jetesës në dhjetor. Nëse familja jeton me qira, shporta arrin në 80.867 denarë. Vetëm ushqimi dhe pijet kanë kushtuar 23.648 denarë, shumë pothuajse e barabartë me pagën minimale aktuale në vend, shkruan gazeta KOHA.
Nga 1 janari, krahas shportës minimale të sindikatave, edhe Qeveria do të llogarisë shportën mesatare të konsumatorit, e cila do të përdoret si bazë për politikat e ardhshme ekonomike. Më pas pritet të përpilohen shporta të veçanta për familje me dy ose tre anëtarë dhe për pensionistët. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, theksoi se analiza do të bazohet në çmimet e tregjeve më të mëdha në vend dhe në produktet ushqimore bazë. “Parametrat do të merren nga tregjet më të mëdha në Maqedoni, parametrat do të merren nga produktet ushqimore bazë, për gjithçka që është e nevojshme për një jetë mesatare, për një familje mesatare maqedonase. Do të merren edhe nga rajone të ndryshme dhe më shpesh nga frutat dhe perimet do të merret ajo që është karakteristike për periudhën, kur llogaritet gjatë vitit”, tha ai.
LSM kujton se shporta sindikale e vitit 2011 ishte baza për miratimin e Ligjit për Paga Minimale dhe ndihmoi në rritjen e pagave. Sipas tyre, edhe sot shporta tregon qartë nivelin minimal të mjeteve që i nevojiten një punëtori për të mbijetuar. Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, paralajmëron se sindikatat do të këmbëngulin në rritjen e pagës minimale në 600-700 euro. “Për fat të keq, rritja e çmimeve, rritja e vlerës së produkteve dhe rritja e varfërisë tek qytetarët janë të padukshme për politikëbërësit. Pa marrë asnjë masë, jeta po bëhet më e shtrenjtë muaj pas muaji. Ata ndoshta po e festojnë vitin e ri me çmimet më të larta dhe pagat më të ulëta në Maqedoni. Ajo që është e dukshme është se çmimet e ushqimeve, çmimet e veshjeve, megjithëse aktualisht keni promovime dhe zbritje për një numër të madh produktesh, po rriten përsëri dhe mendoj se kjo është tashmë e frikshme”, deklaroi ai. Ai shtoi se dy paga minimale nuk e mbulojnë shportën sindikale, gjë që e bën të domosdoshme rritjen e menjëhershme të pagës minimale.
Në ndërkohë, Konfederata e Biznesit vlerëson se rritja e pagave është e nevojshme, por duhet të bëhet në përputhje me mundësitë reale të kompanive, sidomos të ndërmarrjeve të vogla dhe të vetëpunësuarve. Ata janë parimisht dakord me pagë minimale prej 500 eurosh, por kërkojnë kompensime përmes uljes së kontributeve. Ndërkohë, një sondazh i LSM-së për nëntorin tregon se shumica e të punësuarve besojnë se paga minimale duhet të jetë 600 euro.(koha.mk)





