Trendy

Shumë klinika kanë mungesë të aparateve për gastroskopi dhe kolonoskopi!

Para 1 orë

Nuk ka numër të mjaftueshëm të aparateve për gastroskopi dhe kolonoskopi në vendin tonë pohojnë autoritetet shëndetësore. Kjo e vështirëson zbatimin e programit të skriningut për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë. Ndërkohë, qytetarët shpesh detyrohen të shkojnë në klinika private ose të udhëtojnë në një qytet tjetër për kontroll.

“Në shumë pak vende kryhen kolonoskopi dhe gastroskopi dhe kjo është problem, prandaj edhe programi parandalues për kancerin e zorrës së trashë nuk funksionon në nivelin e dëshiruar. Ne po i përfundojmë locimet së bashku me Klinikën për Gastroentero-Hepatologji, para së gjithash për të parë se ku ka burime njerëzore, sepse pajisjet mund të sigurohen më shpejt sesa të krijohen dhe të trajnohen specialistë dhe subspecialistë për këtë qëllim. Pres që këtë vit të ketë përmirësim edhe në disa spitale të tjera të përgjithshme në vend”, deklaroi Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Spitali i Ohrit këto ditë ka marrë aparat të ri për gastroskopi dhe kolonoskopi, i cili do ta lehtësojë procesin e diagnostikimit. Aparati i mëparshëm ishte rreth njëzet vjet i vjetër dhe shpesh kishte defekte, për shkak të të cilave edhe numri i ndërhyrjeve ishte i vogël. Megjithatë, për të rritur numrin e kontrolleve është e nevojshme një riorganizim i shëndetësisë sekondare, thonë mjekët.

“Nëse Qendra Urgjente funksionon në Ohër, ne do të mund të përkushtohemi shumë më tepër ndaj diçkaje që është me interes të madh për qytetarët. Që të përkushtohemi më shumë këtu, duhet të mos funksionojmë më si shëndetësi primare dhe si qendër urgjente, por të merremi me metoda subspecialistike. Për këtë arsye nuk duhet të jemi të mbingarkuar në ambulancën urgjente, siç jemi tani. Minimumi 60–70 pacientë në 24 orë në repartin e mjekësisë interne, për Ohrin është një numër shumë i madh”, tha Vladimir Shibakoski – mjek.

Kur simptomat e kancerit të zorrës së trashë bëhen të dukshme, atëherë mund të jetë vonë. Prandaj mjekët thonë se është e nevojshme që çdo qytetar mbi moshën 50-vjeçare të bëjë kolonoskopi./Alsat.mk.

Trending