Zjarri tragjik në kabarenë Pulse në Koçan ka ngritur shqetësime të mëdha mbi kushtet e sigurisë në objekte të ndryshme në vend. Por duket se situata nuk është më e mirë as në Tetovë, ku shumica e bizneseve dhe institucioneve nuk kanë plane evakuimi të rregullta.
Më shqetësuese është fakti se edhe institucionet shtetërore nuk kanë plane të qarta për raste emergjente. Një shembull konkret është Njësia Kadastrale në Tetovë, e cila ndodhet në katin e dytë të qendrës tregtare Driada dhe nuk ka as plan evakuimi, as dyer emergjente. Nëse ndodh një fatkeqësi, dalja nga ky objekt mund të bëhet tejet e vështirë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe punonjësve.
E njëjta situatë vlen edhe për shumë institucione të tjera, si Fondi i Shëndetësisë dhe Fondi Pensional, të cilët operojnë në një objekt pa kushte të duhura sigurie. Gjithashtu, edhe shumë shkolla dhe objekte të tjera publike nuk plotësojnë standardet për raste emergjente.
Një katastrofë e mundshme mund të ketë pasoja të rënda, dhe për këtë arsye është urgjente që autoritetet të ndërmarrin masa. Përpara se të vendosen rregulla strikte për objektet private, shteti duhet të nisë nga rregullimi i institucioneve publike, për të parandaluar tragjedi që mund të shmangen me masa të duhura sigurie.

