Trendy

Si do të duket aeroplanmbajtësja e parë turke më e madhe se çdo anije evropiane

Para 8 muaj

Turqia ka zbuluar konceptin e aeroplanmbajtëses së saj të parë, që po zhvillohet nga Agjencia për Industrinë e Mbrojtjes (SSB). Kjo anije do të ndërtohet në kantieret detare turke, në bashkëpunim me ato spanjolle, dhe do të ketë një gjatësi prej 300 metrash, duke e bërë më të madhen e klasës së saj në Evropë.

Projekti, i njohur jozyrtarisht si “Milli Uçak Gemisi” (MUGEM), do të tejkalojë aeroplanmbajtësen për dronë TCG Anadolu, me 232 metra gjatësi. Aeroplanmbajtësja do të shërbejë si një bazë lundruese për aeroplanë me krahë fiks dhe helikopterë, duke zgjeruar ndjeshëm kapacitetet detare të Turqisë në Mesdhe dhe më gjerë.

Kryetari i SSB-së, Haluk Görgün, deklaroi se projektimi është i bazuar në bashkëpunimin e frytshëm me Spanjën, duke përfituar nga përvoja e ndërtimit të TCG Anadolu. Ndërtimi do të realizohet në kantieret detare në Stamboll, duke fuqizuar industrinë e brendshme turke të ndërtimit të anijeve dhe mbrojtjes.

Për krahasim, aeroplanmbajtëset më të mëdha evropiane si “Charles de Gaulle” i Francës dhe “Queen Elizabeth” e Britanisë, kanë gjatësi rreth 280 metra. Me 300 metra gjatësi, MUGEM sinjalizon ambiciet e Turqisë për të forcuar praninë e saj detare përtej kufijve rajonalë, duke ndikuar edhe në balancën e forcave në Detin e Zi, ku dominimi rus është dobësuar pas konfliktit në Ukrainë.

Trending