Trendy

Si u shkatërrua grupi kriminel që shiste drogë në RMV?

Para 13 orë

Një aksion i gjerë policor është realizuar kundër një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për organizim, furnizim, shitje dhe shpërndarje të drogës narkotike në disa lokacione në territorin e Maqedonisë së Veriut. Sipas autoriteteve, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në bashkëpunim me SPB Strumicë, si dhe me pjesëtarë të EBR-së dhe njësitit “Tigrat”, në koordinim me një prokuror publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka zhvilluar një operacion të koordinuar policor për goditjen e këtij grupi kriminal.

Pas masave operative-taktike të ndërmarra nga zyrtarët policorë, janë arrestuar shtatë persona, prej të cilëve katër nga Strumica, dy nga Shkupi dhe një nga Shtipi. Njëkohësisht, janë kryer kontrolle në 15 lokacione në rajonet e Shkupit, Strumicës dhe Shtipit. Gjatë aksionit, policia ka siguruar prova materiale, duke gjetur dhe sekuestruar drogë, një pistoletë, një karikator me municion, shtatë automjete udhëtarësh, shtatë telefona celularë, si dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Autoritetet bëjnë të ditur se masat dhe aktivitetet hetimore vazhdojnë, në drejtim të përpunimit dhe ekspertizës së sendeve të sekuestruara, si dhe të nxjerrjes së të arrestuarve para gjykatësit të procedurës paraprake. Ndaj të dyshuarve pritet të paraqitet kallëzim penal në Prokurorinë Publike kompetente, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Trending