Trendy

Sistemi “Safe City” sjell qindra ankesa në gjykatë

Para 2 orë

Gjatë muajit të parë të zbatimit të sistemit “Qyteti i sigurt” në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë parashtruar gjithsej 476 ankesa (kërkesa për fillimin e procedurës për kundërvajtje para gjykatës), prej të cilave 431 ankesa nga persona juridikë dhe 45 ankesa nga persona fizikë, për të cilat po veprojnë 16 gjykatës nga departamenti për kundërvajtje në kuadër të Gjykatës Themelore Penale.

Nga Gjykata Themelore Penale Shkup informojnë se qytetarët dhe personat juridikë të cilët nuk e pranojnë përgjegjësinë për shkeljen e bërë kanë të drejtë ligjore të parashtrojnë ankesë në gjykatën kompetente.

“Të gjitha ankesat e parashtruara u regjistruan me kohë në gjykatë dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Kundërvajtje, brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 8 ditësh, iu dorëzuan Ministrisë së Punëve të Brendshme për shqyrtimin e tyre, që është parakusht i domosdoshëm për veprime të mëtejshme. Prandaj, deri në këtë pikë, gjykata nuk ka nxjerrë vendim gjyqësor të formës së prerë për shkeljet e trafikut të regjistruara përmes sistemit ‘Qytet i Sigurt’, dhe për të cilat qytetarët ose personat juridikë kanë ngritur ankesë”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.

Me qëllim të njoftimit të publikut për kundërvajtjet e evidentuara më shpesh, nga Gjykata informojnë se pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me kundërvajtje në lidhje me shpejtësinë joadekuate, kalimin në dritë të kuqe dhe vozitje me automjet të paregjistruar.

“Si sfida më të rëndësishme në periudhën vijuese veçohen ankesat e parashtruara nga persona juridikë – kompani lizingu për automjete të dhëna për shfrytëzim në bazë të marrëveshjes për lizing, si dhe ankesat nga qytetarë të cilët paraprakisht i kishin shitur automjetet e tyre, por të njëjtat nuk ishin çregjistruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për çka u ishin dhënë urdhra për kundërvajtje”, informojnë nga gjykata.

Gjykata Themelore Penale Shkup, duke e vlerësuar rëndësinë dhe interesin publik për vendosjen e sistemit të ri të sigurisë në komunikacion, thekson se do të vazhdojë të veprojë për të gjitha lëndët në afatet e përcaktuara me ligj dhe me kohë dhe në mënyrë transparente ta informojë publikun për rrjedhën e mëtutjeshme të veprimeve, por edhe për të gjitha sfidat dhe detyrimet të cilat qytetarët janë të detyruar t’i ndërmarrin. 

Trending