Kandidati i pavarur për Strugën, Mendi Qyra, ka prezantuar sot logon zyrtare të fushatës së tij, një simbol që sipas tij përfaqëson jo vetëm identitetin vizual të ekipit të tij, por edhe shpirtin dhe qëllimin e angazhimit të tij politik.
Logoja është frymëzuar nga vetë natyra e qytetit – liqeni dhe lumi – të cilat përfaqësohen përmes valëve, një metaforë për dashurinë ndaj Strugës dhe për lidhjen e thellë me ritmin e saj natyror e shoqëror. “Valët janë zemra e Strugës, ashtu si edhe dashuria jonë për qytetin,” thuhet në deklaratën zyrtare të fushatës.
Forma dinamike e logos sinjalizon një shkëputje të qartë nga periudha e gjatë e stagnimit. Ajo synon të përcjellë mesazhin se ka ardhur koha për lëvizje, për gjallëri dhe për një vizion të ri. “Fakt është: nuk ka valë pa lëvizje,” thekson Qyra.
Sipas tij, logoja përfaqëson një qytet që zgjohet dhe një komunitet që guxon. “Ashtu si uji i gjallë i Strugës, edhe qyteti ynë ka nevojë të marrë frymë, të zgjohet, të ndryshojë.”
E përmbledhur me moton “Vala e Ndryshimit”, kjo logo vjen si një thirrje e qartë, e qetë por e vendosur, për të ardhmen që qytetarët e Strugës duan të ndërtojnë – së bashku, me shpresë dhe vendosmëri.










