Deputetët e Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë Kuvendin. Në seancën që u mbajt këtë të mërkurë (20 gusht), asnjë nga dy propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk mundi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila nuk ishte pranuar nga opozita edhe në tentativat e kaluara për konstituimin e Kuvendit. Haxhiu mundi të marrë vetëm 57 vota pro, teksa 56 deputetët votuan kundër dhe 3 abstenuan.
Pasi Haxhiu dështoi të zgjidhej, Glauk Konjufca propozoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Megjithatë, as kjo e fundit nuk mundi të marrë 61 votat e nevojshme. Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i LVV-së, Avni Dehari ndërpreru më pas seancë, ndërsa deputët do të mblidhen sërish më 22 gusht.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij do të votojë një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për dikë që ka qenë ministër.
Të dy propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, janë ministre në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se nuk është e interesuar që të zgjidhet situata në Kuvendin e Kosovës.
“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi LVV-në se propozoi qëllimisht kandidate që nuk kanë mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
“Do ta shihni, edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.
Mbledhja e sotme vjen 2 ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që i vendos deputetët përballë disa detyrimeve për të bërë të mundur konstiutimin e Kuvendit.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh, i cili ka hyrë në fuqi prej datës 18 gusht. Po ashtu, një kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë, nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme.
Gjithashtu, ky vendim detyron të gjithë deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.









